Prokuroria, burg përjetë për 38-vjeçarin
Tiranë- Burgim të përjetshëm ka kërkuar sot Prokuroria për njërin nga dy të akuzuarit si autorë të vrasjes së shtetasit Gëzim Shullani, disa muaj më parë, në Tiranë.
Gjatë seancës së sotme, prokuroria paraqiti konkluzionet përfundimtare të hetimit për të pandehurit e kësaj çështjeje, Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj, përkatësisht 38 dhe 37 vjeç.
‘Përfaqësuesi i prokurorisë së Tiranës kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me burg për jetë për të pandehurin Lazaj, si autor i krimit, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Zenelaj kërkoi dënimi me 9 vjet burg”- thanë burimet nga gjykata.
Pala mbrojtëse pritet të dëgjohet në seancën e radhës. Pas kësaj, Gjykata do të shpallë vendimin përfundimtar për dy të pandehurit e këtij procesi.
Dy të pandehurit u arrestuan si autorë të vrasjes me sende të forta, për qëllime grabitjeje, të shtetasit Gëzim Shullani. Krimi ndodhi mëngjesin e 3 marsit të këtij viti, në një godinë të braktisur në rrugën e"Durrësit" në Tiranë.