Miq me Kuvajtin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Kryetarin e Asamblesë Nacionale të Kuvajtit, Jassem Mohammad Al Kharafi, që po qëndron në një vizitë dyditëshe në Kosovë, në krye të delegacionit parlamentar të Kuvajtit.
Kryeministri Thaçi pasi i ka dëshiruar mirëseardhje kryepalamentarit të Kuvajtit, ka shprehur falënderimet në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtetin e Kuvajtit për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në vazhdimësi.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka potencuar takimin që ka zhvilluar kohë më parë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kryeministrin e Kuvajtit, Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, nga i cili ka marrë premtime të fuqishme se në një periudhë shumë të afërt Kuvajti do ta njohë shtetin e Kosovës.
Duke shprehur besimin në njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës nga ana e Kuvajtit, kryeministri Hashim Thaçi u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve mike do të thellohet në të gjitha fushat, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Në këtë kontekst, Republika e Kosovës mirëpret investimet ekonomike të Kuvajtit, u shpreh z. Thaçi.
Nga ana e tij, Kryetari i Asamblesë Nacionale të Kuvajtit, Jassem Mohammad Al Kharafi, ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për pritjen e përzemërt dhe ka theksuar përkushtimin e tij për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kuvajtit. Ai me këtë rast përcjelli edhe përshëndetjet e përzemërta të kryeministrit të Kuvajtit si dhe njoftoi kryeministrin që në ditët në vijim pritet të mirët vendimi i shumëpritur për njohjen e shtetit të Kosovës. Po ashtu, përcjelli ftesën e kryeministrit të Kuvajtit për kryeministrin Thaçi, që në një afat të shkurtër të vizitojë Kuvajtin dhe që me këtë rast do të nënshkruhen marrëveshjet e bashkëpunimi në shumë fusha, posaçërisht në funksion të investimeve të reja dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Në takim, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur admirimin e tij edhe për bashkëpunimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Nacionale të Kuvajtit. Ai u shpreh i gatshëm që me një delegacion të Republikës së Kosovës, gjatë këtij viti të vizitojë Kuvajtin.