E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qesim kushte

Mundësia e rifillimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit po komplikohet. Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri përjashton mundësinë që të bisedohet për dy pikat doganore. Ajo insiston se temë kryesore duhet të jetë implementimi i marrëveshjeve që janë arritur dhe agjenda e caktuar më herët. Robert Cooper i cili do të bisedojë me palën kosovare të hënën, ka propozuar 14 tetorin si datë për rifillimin e bisedimeve.

Krynegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, nuk pret ndryshim të temave në bisedimet teknike me Serbinë, pavarësisht deklaratave të Borko Stafanovicit se në raundin e ardhshëm do të ketë dialog për veriun dhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Zëvendëskryeministrja Tahiri pret rifillimin e dialogut teknik me Serbinë për çështjen e energjisë, telekomit dhe bashkëpunimin rajonal – tema këto që janë përcaktuar më herët nga BE’ja.

Në një bisedë për Express, ajo ka konfirmuar se ndërmjetësi i BE’së ka propozuar datën 14 tetor për të rifilluar dialogun për zgjidhjen e problemeve teknike, por nuk është shumë e sigurt nëse dialogu i ndërprerë do të rifillojë.

“z. Cooper na e ka bërë të ditur propozimin e tij për këtë datë. Ka kërkuar pajtimin tonë dhe kemi thënë se pajtohemi në parim me këtë datë, por konfirmimin final për këtë do ta japim pas takimit që zhvillohet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe z. Cooper”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërmjetësi i BE’së, Robert Cooper ka vizituar të premten Beogradin, ku ka dëgjuar kërkesat e palës serbe për të futur në agjendën e bisedimeve edhe Jarinjën dhe Bërnjakun.

Cooper nuk ka komentuar deklarimet e palës serbe dhe as nuk ka lëshuar ndonjë qëndrim të BE’së.

Zyrtari i BE’së pritet të hënën të vizitojë Kosovën dhe të takohet me zyrtarët qeveritarë.

Zëvendëskryeministrja ka thënë se temë e bisedimeve për palën kosovare tani është edhe çështja e zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur më herët.

Edita Tahiri ka thënë se kusht i Kosovës për të vazhduar dialogun teknikë me Serbinë është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, të cilat kanë mbetur ende në pikën zero.

Tahiri ka thënë se në takimet që ka pasur me përfaqësuesit e BE’së dhe SHBA’së ua ka bërë të qartë qëndrimin e Prishtinës se vazhdimi i dialogut varet kryekëput nga zbatimi i marrëveshjeve paraprake.

“Ne do të konfirmojmë agjendën e bisedimeve dhe agjenda e bisedimeve duhet të jetë: së pari për çështjet e implementimit të marrëveshjeve dhe për neve kjo është tema kryesore e bisedimeve sepse pa u zbatuar marrëveshjet paraprake, çështja marrëveshjeve të reja në fakt nuk e ka kuptimin. Pastaj do t`i kemi në agjendë ato tema që kanë mbetur pa u diskutuar – çështja e telekomit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal”, ka thënë Tahiri për Express, të shtunën.

Ajo ka mohuar deklarimet e zyrtarëve serbë se do të ketë biseda për çështjen e veriut.

“Mund të konfirmoj se nuk do të ketë tema politike, pavarësisht pra komunikimeve mediale që kam parë nga pala serbe. Me Serbinë flasim vetëm për çështje teknike dhe koha kur kemi diskutuar për çështje politike ka kaluar. Ka qenë Konferenca e Rambouillet dhe bisedimet e Vjenës. Tash jemi dy shtete të pavarura dhe fqinjë dhe vetëm si shtete fqinje mund të flasim në të ardhmen.

Kjo zyrtare e Qeverisë ka mohuar se në mes të Kosovës dhe Serbisë do ketë diskutime për çështjet e brendshme të Kosovës, përfshirë edhe dy pikat doganore.

“Asnjëherë jo vetëm kjo çështje, por asnjë çështje politike nuk flitet në dialog. Arsyet janë; e para ne kemi pranuar si Qeveri e Republikës së Kosovës këtë dialog vetëm se ka pasur karakter teknik”, ka deklaruar Tahiri.

Raundi i fundit i dialogut teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, i paraparë të mbahet në fund të muajit të kaluar, dështoi pasi Beogradi nuk arriti të fusë në temën e diskutimit çështjen e dy pikave doganore në veri të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›