S’kanë unitet për interesat shtetërore

Opozita konsideron se një prej detyrave kryesore të Qeverisë, pavarësisht numrave që mund t’i ketë në Kuvend, duhet të jetë dialogu me opozitën, ndërkohë partia në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shpreh gatishmërinë për të biseduar me subjektet tjera për arritjen e një uniteti, sidomos për çështje të rëndësishme për shtetin.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, thekson se problemet që ka Kosova mund të zgjidhen vetëm nëse do të ketë unitet të faktorit politik në vend.
Ai ka shtuar se PDK-ja nuk ia lejon asnjëherë vetes që kur janë në pyetje interesat nacionale, të tentojë të krijojë poenë politikë.
“Ne si Grup Parlamentar i PDK-se kemi shprehur gatishmërinë tonë, kemi qenë, jemi dhe do të jemi edhe në të ardhmen të gatshëm të bisedojmë me të gjithë akterët në Kosovë kur të jenë në pyetje interesat nacionalë, sepse vetëm duke qenë të bashkuar, unik dhe bashkëveprues ne mund t’i zgjidhim këto probleme dhe mund ta çojmë Kosovën përpara. Nuk i lejojmë vetes që kur janë në pyetje interesat nacionalë të tentojmë të krijojmë poenë politikë, duke i keqpërdorur ato dhe duke manipuluar me ndjenjat e qytetarëve të vendit, por u kemi bërë dhe u bëjmë thirrje të gjithë akterëve që t’i koordinojmë veprimet tona dhe të jemi sa më unikë për zgjidhjen e këtyre problemeve, sepse këto problem nuk i takojnë asnjë grupi apo partie politike, por na takojnë të gjithëve së bashku”, ka thënë Grabovci për Kosovapress.
Lutfi Haziri nga LDK-ja, partia më e madhe opozitare, thotë se Kosova nuk ka mundur të krijojë konsensus politik në asnjë prej proceseve të mëdha që ka Kosova, përveç në procesin e integrimeve evropiane, që është një konsensus politik përmes një rezolute, e cila është arritur në maj të këtij viti në Kuvend.
“Ajo që e dallon aktualisht Kosovën me të kaluarën e afërt, është se në të gjitha proceset e mëdha në Kosovë ka pasur konsensus politik, është arritur një konsensus pavarësisht kush ka qenë në udhëheqje. Ndërsa tash ekziston një situatë krejt tjetër, një ambient krejt tjetër politik dhe vërtetë arritja e një konsensusi duhet të vendoset përmes një dialogu politik, i cili është i domosdoshëm, një dialog politik edhe me shoqërinë civile dhe natyrisht dialogu politik me opozitën është prioritet që duhet të jetë detyra e parë e çdo qeverisje, pavarësisht numrave që i ka në Parlament”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se sidomos në çështje të rëndësishme, sikur që është veriu, duhet të ketë një unitet të plotë, e jo, siç ka thënë ai, liderë të ndryshëm të partive politike të sillen si shoqëri civile.
“Mund të them se është shumë keq kur hapat e ndërmarrë që nga 25 korriku, të cilët kanë rezultuar me veprime që janë përkrahur unanimisht, tani fillojnë t’i devalvojnë një pjesë e atyre, të cilët janë pjesëmarrës të kësaj përkrahje. Nuk është mirë të paraqiten liderët e partive si shoqëri civile, ose si të pavarur, por duhet të kenë aprovimin e subjekteve politike, në mënyrë që deklarimet e tyre të jenë konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës, konform interesave të vendit”, ka thënë Isufi për Kosovapress.
Por Lëvizja Vetëvendosje mendon se nuk mund të ketë unitet me subjektet tjera politike, të cilat sipas saj, kanë unitet për çështjet që, kjo lëvizje i konsideron se janë në dëm të Kosovës, sikur që është plani i Ahtisarit, bisedimet me Serbinë, e të tjera, përderisa veten e konsideron si subjektin e vetëm që ka qëndrime të qarta politike, pavarësisht presioneve ndërkombëtare që mund të jenë.
Glauk Konjufca nga kjo lëvizje, konsideron se edhe deklaratat e partive politike që ndryshojnë përditë, janë në kuadër të pavendosmërie për çështje të caktuara.
“Domethënë, kur shihni këso pavendosmërie, këso luhatje në deklaratat e partive politike, ta dini që kjo bëhet për arsye se cilido që merret vendimi në të ardhmen, të thonë që ‘ne kemi qenë kështu prej fillimit’, për arsye se nuk thonë as ‘jo’ të fuqishme, as ‘po’ të fuqishme. Domethënë janë diku në mes, që ashtu siç zhvillohet situate, varësisht prej presionit ndërkombëtar dhe pastaj ata e shohin rrugën e tyre se nga t’ia mbajnë. Kurse Lëvizja Vetëvendosje mendoj që qëndrimet e saj politike i derivon prej programit të vetë politik dhe problemet me Serbinë ne i shohim që zgjidhen nëpërmjet obligimeve shtetërore që i ka Qeveria për shtrirjen e sovranitetit, jo në tavolinën e negociatave”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, koalicioni aktual qeverisës krahasuar me të gjitha qeveritë e pasluftës e ka numrin më të kufizuar të ulëseve në Kuvendin e Kosovës dhe përballet me opozitën më të fuqishme për nga numrat.
Megjithëkëtë, këtë potencial të saj opozita nuk e ka shfrytëzuar, por përkundrazi vazhdon të mbetet e përçarë, ndërkaq edhe në raport me veprimet e Qeverisë për shtrirjen e sovranitetit në veri, një pjesë e opozitës ka vazhduar të luajë me dy karta, duke mbështetur fillimisht aksionin në veri, ndërkaq më vonë duke e quajtur një dështim të plotë dhe përpjekje të Qeverisë për t’iu bërë ‘politikë’ qytetarëve të vendit.(kosovapress)