E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmërojnë protestë kundër Jahjagës

Në shenjë kundërshtimi ndaj pjesëmarrjes së presidentes Atifete Jahjaga në “Forumin 2000” dhe kundër pavarësisë së Kosovës, Jarosllav Foldyna nga Partia Socialdemokrate Çeke, nëna e të cilit është serbe, së bashku me organizatën e miqve serbë në Çeki, planifikon që të organizojë protestë në Pragë.

Siç transmetojnë mediat çeke, Foldyna, i cili është kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, ka konfirmuar se planifikon tri protesta, e para prej të cilave do të mbahet të dielën, në hapje të ceremonisë së konferencës në ish-kishën Shën Ana, në qendër të Pragës. Në këtë protestë pritet të marrin pjesë edhe mbështetës tjerë nga Serbia.

Të martën e ardhshme, protestuesit do të mblidhen në Zofin island dhe në afërsi të Instituti Gete, ku presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në panelin e diskutimeve, ku do të flitet për tema të ndryshme.

Foldyna, zyrtar i lartë i socialdemokratëve çekë, ka thënë se vendimi për mbajtjen e këtyre protestave vjen për shkak të pjesëmarrjes së presidentes së Kosovës në “Forumin 2000”, me ftesë të ish-presidentit çek Vaclav Havel.

“Ne tradicionalisht e kemi bërë të qartë se nuk e pranojmë sovranitetin e Kosovës dhe ne konsiderojmë deklaratën e saj për shpalljen e pavarësisë të njëjtë sikur me marrëveshjen e Munihut (të vitit 1938, sipas së cilës Çekosllovakia ia dorëzoi kufirin nazistëve gjermanë). Kur mësuam se presidentja e Kosovës do të marrë pjesë në konferencë, ne vendosëm që të prezantojmë qëndrimin tonë”, ka thënë Foldyna në emër të Asociacionit të miqve serbë, të cilin ai e ka themeluar.

Çekia ka pritur për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për shkak të tendencave pro-serbe në partitë politike çeke.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka udhëtuar dje në Pragë të Çekisë, me ftesë të ish-presidentit çek Vacllav Havel, për të marrë pjesë në punimet treditore të “Forumit 2000”.

Jahjaga në këtë forum ku do të mbajë një fjalë dhe do të marrë pjesë në debat në temat që do të trajtohet, si Perspektivat e demokracisë dhe sundimi i ligjit në shekullin 21, Sundimi i ligjit dhe performanca globale ekonomike, Demokracia dhe sundimi i ligjit-legaliteti dhe legjitimiteti, Biznesi dhe korrupsioni, etj.

Në punimet e këtij forumi, do të marrin pjesë personalitete të njohura dhe ekspertë të fushave të caktuara, ndër të cilët Vaclav Havel, Eli Vizel, laureat i Çmimit Nobel, Jozef Stiglic, laureat i Çmimit Nobël për ekonomi, Zhak Rupnik, politolog i njohur, Adam Mihnik, publicist, Mihail Sakashvilli, president i Gjeorgjisë etj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›