E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundoset Komisioni i ShërbimitCivil

 

Komisioni i Ligjeve çon në “gijotinë” Komisionin e Shërbimit Civil. Riparaqitja e raportit me firmat e të gjithë anëtarëve nuk ka lehtësuar punën e kryer nga ky institucion, ku sipas deputetëve të opozitës është kthyer në një vegël e Qeverisë. Edhe pse nuk kanë qenë kuorumi i nevojshëm i deputetëve në mbledhje, socialistët kanë qenë më të ashpër në qëndrimet e tyre kundër KSHC-së. Mbledhja drejtohej nga socialisti Fatmir Xhafaj, ndërsa ka bërë të ditur se së shpejti komisioni do të hartojë rezolutën përkatëse. “Ne nuk kemi një raport të mirëfilltë analitik, por vetëm konstatues”, tha Fino. Ai shtoi se “kemi thënë se nëpunësit civil janë pasuri kombëtare të shqiptarëve, por siç duket nuk merren parasysh nga KSHC-ja, që nuk është në nivelin e duhur e të kërkuar për të ruajtur këtë pasuri kombëtare”. Më i ashpër kundër KSHC-së ishte deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i cili tha se “kemi të bëjmë me një institucion nuk ka asnjë lloj autoriteti dhe nuk mund të jetë garant i ligjit”. “Mendoj se KSHC-ja në Republikën e Shqipërisë nuk përbën asnjë lloj garanti për zbatimin e ligjit. Zotërinj ju jeni për të qenë pjesë e zgjidhjes, në fakt jeni bërë pjesa më e keqe e administratës civile në Shqipëri. Nëse dëshiron të dish se çfarë po ndodh në administratë mjafton t’ju shikosh juve. Ju s’jeni as avokatët e vetes tuaj dhe jo më të pretendojmë që të jeni avokatë të tjerëve. Prandaj mendoj se kjo të bëhet e qartë dhe në rezolutën e Kuvendit duhet të bërë e qartë për mungesën e plotë të autoritetit ligjor të KSHC-së, duke ia bërë të qartë dhe Parlamentit”, tha Majko. Deputeti i PR-së, Arjan Madhi deklaroi se “nuk jam i kënaqur për mënyrën se si është paraqitur raporti i Komisionit të Shërbimit Civil, duke mos paraqitur një punë konkrete të kryer gjatë një viti”. Deputeti i PD-së, Sali Shehu ka theksuar se “duhet të paraqiten në vërejtjet e bëra nga Bordi i Monitorimit”. Ndërsa socialisti Besnik Dervishi deklaroi se “KSHC-ja e ka humbur rolin e garantit të nëpunësve civil, duke mos zbatuar ligjin për shkarkimin e punonjësve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›