Lushnjë, kapet vrasësi i emigrantit
LUSHNJE / MAJLINDA RAMA
Arrestohet autori i krimit makabër dhe më pas djegies së Bujar Krasniqit brenda shtëpisë së tij. Vrasja e ndodhur mëngjesin e së hënës është zbardhur dje nga policia e Lushnjës, duke vënë në pranga dhe 30-vjeçarin Klodian Prençe. I arrestuari është fqinj i familjes Krasniqi, në fshatin Gradishtë dhe sipas policisë motivi i krimit ka lidhje me qëllimin e grabitjes së Kraniqit nga ana e Prençes. Dëshmitë e marra nga familjarët dhe të afërm të viktimës 45-vjeçar si dhe gjurmimet e policisë së Lushnjës e asaj të Fierit hodhën dritë mbi ekzekutimin e babait të 4 fëmijëve. Për policinë është faktuar se Prençe është autor, pasi atij i është gjetur dhe arma e krimit, me të cilin qëlloi me 2 plumba Bujar Krasniqin. Vetëm një ditë më parë, gazeta publikoi pistën e policisë, atë të vrasjes për qëllime grabitjeje të 45-vjeçarit, nisur nga ekspertiza në vendin e ngjarjes. Në dhomën e gjumit ku u gjet viktima kishte shenja se aty kishte pasur përleshje dhe autori kishte kontrolluar me imtësi. Për të fshehur gjurmët e lëna, personi që qëlloi për vdekje Krasniqin përdori lëndë djegëse për t’i dhënë flakën shtëpisë 1-katëshe, edhe pse brenda saj ndodheshin 3 fëmijët e familjes. Sipas policisë, autori ka precedentë të mëparshëm kriminalë për akuzën e vjedhjes, çka e vuri atë në listën e personave të dyshuar. Fakti që Bujar Krasniqi ishte emigrant ekonomik në Greqi dhe kishte pak ditë që ishte kthyer prej shtetit fqinj ka bërë që autori të mendojë se ai mund të kishte sjellë një shumë të majme parash. Prandaj, mesnatën e së dielës ka hyrë në banesën e familjes Krasniqi, duke menduar se e gjithë familja ishte larguar drejt Pogradecit, në një ceremoni vdekjeje.
Për të arrestuar autorin, forcat e policisë, kanë organizuar kontrolle të shumta jo vetëm në fshatin Gradishtë, por dhe më gjerë, pasi fillimisht nuk kishte të dhëna të sakta mbi të. Familjarët e Krasniqit pohuan se Bujari nuk kishte pasur konflikte më parë me askënd, duke mos vënë gishtin te asnjë person. Në të gjitha akset hyrëse dhe dalëse të qytetit të Lushnjës si dhe të fshatit Gradishtë janë vendosur postblloqe me qëllim kontrollin e lëvizjeve të dyshimta të bashkëfshatarëve të viktimës. Një grup i posaçëm policësh kanë qëndruar në pyjet pranë fshatit, ndërsa disa civilë kanë këqyrur gjithë ceremoninë e varrimit si dhe vizitat për ngushëllime të të afërmve apo të fqinjëve të cilët mesa duket nuk e kanë lënë pa komentuar këtë vrasje, por as dyshimet e tyre për autorin e saj. Policia gjatë këtyre ditëve ka shoqëruar në ambientet e komisariatit shumë bashkëfshatarë dhe miq të viktimës, të cilët mësohet të kenë dhënë dyshimet e tyre rreth ngjarjes, çka e ka çuar policinë në një rrugë më të sigurt për identifikimin e autorit.
Dje, Prençe u gjet në një pjesë periferike të fshatit të tij në tentativë largimi nga fshati, por nuk ka rezistuar duke iu bindur policisë. Deri në mbrëmje, autori nuk ka pranuar të flasë, por as nuk i ka kundërshtuar akuzat.