E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Miqtë” kuvajtianë financojnë projektin e Parkut të Liqenit

Duket se Kuvajti është kthyer në një “El Dorado” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama. Këtë herë, pas 5 milionë eurove të hedhura për qendrën e Tiranës, “miqtë tanë” kuvajtianë, siç i karakterizon ai, do të financojnë edhe projektin për parkun e Liqenit Artificial.

“Kemi përparuar në drejtim të një bashkëpunimi me miqtë tanë kuvajtianë për financimin e plotë të projektit të Parkut Liqenit, i cili është një projekt jashtëzakonisht ambicioz, për një transformim rrënjësor nga pikëpamja cilësore e këtij parku”, - ka deklaruar Rama gjatë komunikimit me qytetarët e njësisë pesë.

Duke i mëshuar faktit se realizmi i këtij projekti është ambicioz, kërkon një shumë, të cilën vetëm miqtë kuvajtianë mund ta sigurojnë.

Bashkëpunimi

Përmes fondeve që do të sigurohen, Rama ka theksuar se në zonën e Parkut të Liqenit do të ketë një transformim të pasqyrës ujore, sipas parametrave më të lartë, në mënyrë që të kemi një pasqyrë ujore të garantuar dhe të mirëmbajtur, ashtu siç edhe do të mbjellim edhe një sasi shumë të madhe pemësh të reja. Këtë vit do të ketë 3.000 pemë të reja, të disa llojeve, që janë të përcaktuara në projektin tonë dhe do të bëjmë përmirësimin e të gjithë infrastrukturës së parkut, asaj ekzistueses, plus infrastrukturën e domosdoshme për biçikletat, për vrapuesit, ndërkohë që siç e dini, parku është i mbrojtur nga makinat. Duke shpjeguar projektin, kreu i Bashkisë së Tiranës ka vijuar më tej se “ne kemi ambicien, kemi projektin dhe jemi duke negociuar fondet, në bashkëpunim me të huaj, për një park që të jetë i standardeve evropiane, nga të gjitha pikëpamjet”.

Duke e quajtur Parkun e Liqenit, “mushkëri” të Tiranës, do të prishen të gjitha ndërtesat pa leje në kodrat e Selitës, nga Komuna e Farkës dhe njëkohësisht nga ndërhyrjet abuzive dhe të paligjshme.

“Ne nuk do të lejojmë, që qoftë edhe një metër katror i parkut të liqenit, të mbetet i patransformuar, si pjesë e një projekti ekologjik, me standarde evropiane, në mënyrë që kjo mushkëri e Tiranës, të rivitalizohet me mijëra pemë të reja që do të fillojmë t’i mbjellim që këtë vit, me infrastrukturë për këmbësorë, biçikleta, vrapues, me kënde çlodhëse dhe ndriçim publik dhe nga ana tjetër edhe me një pasqyrë ujore, plotësisht të transformuar që do të thotë se në kushtet aktuale, infrastruktura e pasqyrës ujore është tërësisht e degraduar”, - është shprehur Rama. Më pas ai ka shtuar se do të arrihet për të vënë në lëvizje financimet për projektin e ri.

Ndihma

Nuk është hera e parë që kreu i bashkisë, Rama, arrin të sigurojë fonde për projektet e tij. Gjatë muajit maj të këtij viti, Rama pas vizitës disaditore të zhvilluar në shtetin e Kuvajtit, në Gjirin Persik, arriti jo vetëm të sigurojë fonde për restaurimin e sheshit “Skënderbej”, por edhe ndihmë për rehabilitimin e parkut të liqenit artificial. Asokohe autoritetet kuvajtiane u shprehen se do ta mbështesin kreun e bashkisë në mënyrë që ky park të kthehet në një model të marrëdhënieve të komunitetit me natyrën, pasqyrë e vetëdijes së re mjedisore të botës ku jetojmë dhe përpjekjes sonë për ta bërë këtë vetëdije instrument të patjetërsueshëm të bashkëjetesës qytetare në Tiranë.

Rama i dhuron Xhejms Belushit “Çelësin e qytetit”

Aktori i njohur jollivudian me origjinë shqiptare, Xhejms Belushi, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, pati një takim miqësor edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama. Zyra e shtypit në bashki bënte të ditur se kryebashkiaku Rama në shenjë mirënjohjeje dhe duke vlerësuar kontributin e aktorit të njohur dhe shumë të dashur për publikun shqiptar, i dorëzoi z. Xhejms Belushi, “Çelësin e qytetit”, një dhuratë që e fton atë të rikthehet sërish në Tiranë.

Sipas Zyrës së shtypit, z. Xhejms Belushi përgëzoi kreu e bashkisë, Edi Rama, për punën që ka bërë këto vite të qeverisjes së të tij për shndërrimin e Tiranës, në një metropol evropian. Takimi vijoi në një atmosferë të ngrohtë, ku u fol mes të tjerash dhe për zgjedhjet e sapozhvilluara në Amerikë. Më pas Xhejms Belushi zbuloi disa nga planet e tij artistike për të ardhmen.

Shqipëri-Moldavi, bashkëpunim në shëndetësi

Shqipëria dhe Moldavia kanë nisur bashkëpunimin dypalësh në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore. Zyra e shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, gjatë vizitës së saj ditët e fundit në Moldavi.

Sipas të njëjtave burime, marrëveshja për “Bashkëpunim në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore” institucionalizon bashkëpunimin në drejtim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor, zbatimin e metodave të reja diagnostikuese dhe mjekuese në fushën e higjieno- epidemiologjisë, sëmundjeve ngjitëse e shumë të tjera.

Ky bashkëpunim do të realizohet nëpërmjet shkëmbimit të informacionit të ndërsjellë, kontakteve mes palëve, pjesëmarrjen e dyanshme të ekspertëve në kongrese apo takime, si edhe lidhjen e marrëveshjeve direkt me institucionet shëndetësore në drejtim të pajisjeve mjekësore, farmaceutike dhe trajnimeve të ndryshme.

Gjatë qëndrimit në Moldavi, zv.ministrja Sinoimeri mori pjesë dhe në takimin e Ministrave të Shëndetësisë të vendeve juglindore.

Diabeti, 35 mijë persona të sëmurë

Mbi 35 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga sëmundja e diabetit, që përbëjnë rreth 1 për qind të popullatës. "Edhe pse kjo shifër është më e ulët se në vendet e tjera të botës, ku kjo varion në 2-5 për qind të popullatës, përsëri mbetet shqetësuese", - tha Prof. Dr. Isuf Kalo, fokusuar tek diabeti i fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Fokusi këtë vit është tek fëmijët për arsye se, për fat të keq, është vërejtur se në 10-vjeçarin e fundit shpeshtësia e shfaqjes së diabetit tek fëmijët po rritet në një formë që nuk pritej”. Diabeti tip 2 ka një rritje shqetësuese nga viti në vit. "Shkaku është i paqartë, por ka një lidhje të padiskutueshme tashmë me obezitetin", - tha mjeku i mirënjohur, për të cilin, "tashmë ka një brez në të cilin obeziteti është kthyer në “bumerang”, pasi këta janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të diabetit të tensionit, të sëmundjeve kardiovaskulare të hershme etj.".

Diagnostikimi jo i mirë, por dhe urbanizimi i shpejtë i popullsisë, lëvizja nga zonat rurale drejt atyre urbane, stili jo i shëndetshëm i jetës, por dhe zgjatja e jetëgjatësisë e shtimi i stresit janë dhe disa elementë që ndikojnë në shtimin e rasteve me diabet. "Diabeti është përgjithësisht jo vetëm një problem mjekësor, por dhe social, sepse numri i të sëmurëve me diabet po rritet me shpejtësi në botë", - tha ai, duke shtuar se "në botë ka më shumë se 250 milionë të sëmurë me diabet dhe pritet që ky numër të shkojë në 300 milionë e më shumë, d.m.th çdo 10 vjet numri pothuajse dyfishohet".

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›