Deputetët e PS-së, jo aq indiferentë sa Rama
Qëndrimi indiferent i Partisë Socialiste ndaj grevës së urisë së 10 deputetëve ka marrë formë zyrtare, edhe pse nën zë shumë prej deputetëve nuk mund të tregohen të tillë. Prej katër ditësh, që kur ka filluar greva, diskutimet për të në selinë e PS-së nuk janë aq indiferente sa ç’është lidershipi i kësaj partie. Në këtë rast ka dhe një element njerëzor në këto diskutime, pasi bëhet fjalë për kolegët e tyre, shumica ish-socialistë që kanë themeluar LSI-në. Pra, ndryshe nga linja zyrtare e PS-së, shumica e deputetëve kanë shprehur një farë mbështetjeje dhe solidariteti me grevistët, dhe pse kjo mbështetje nuk ka marrë formë politike dhe publike. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, tha dje në Kuvend se kishte folur në telefon me shumë deputetë të PS-së, të cilët sipas tij, i kishin ofruar mbështetje morale duke fajësuar Ramën për qëndrimin radikal për të mos negociuar me LSI-në. Rast tipik i reagimit është largimi i katër deputetëve socialistë në Komisionin e Ligjeve një ditë pas grevës, ndërsa dje në seancën e radhës u vu re mungesa e disa figurave të rëndësishme të kësaj partie, si Ben Blushi, Pandeli Majko, Arben Malaj etj. Burime nga Partia Socialiste thanë dje për “standard” se pavarësisht heshtjes së plotë të kryetarit socialist ndaj çështjes që po trazon ndërkombëtarët dhe kahet politike, shumë prej deputetëve socialistë e kanë parë të vështirë që të shkojnë në seancë dhe të përballen me kolegët e tyre, aq më shumë kur PS-ja akuzohet nga grevistët si fajtorja kryesore për mënyrën se si është hartuar Kodi Zgjedhor. Pikërisht për këtë fakt, para fillimit të seancës plenare, kryetarja e Kuvendit pyeti deputetët e grupit socialist për të vendosur se cili do të ishte qëndrimi i tyre për të hyrë apo jo në sallën e Kuvendit. Grupi vendosi që duhej të ishte Erion Braçe ai që do të lexonte një deklaratë, ndërsa pjesa e tjetër e grupit nuk do të ndërhynte me asnjë koment. Në fakt, në këtë deklaratë u zyrtarizua indiferenca e PS-së për ta trajtuar këtë grevë urie si çdo lloj greve tjetër dhe sikur ajo nuk përbënte ndonjë çudi. Por pavarësisht kësaj, jo të gjithë janë të këtij mendimi. Shumë prej deputetëve të PS-së nuk ishin të pranishëm në sallë dhe deri në një moment që s’kemi asnjë deklarim të ndonjërit prej tyre, mund edhe të interpretohet si qëndrim që nuk shkon me frymën zyrtare. Lidhjet politike janë mjaft të forta. Pothuajse të gjithë ata deputetë të LSI-së që janë sot në grevë, kanë qenë deputetë të PS-së deri në vitin 2004. Edhe dalja e socialistëve nga salla e Kuvendit nuk ishte normale si në çdo seancë tjetër, sepse thuajse të gjithë u larguan nga dalja në fund të sallës për të mos u shkëmbyer me deputetët grevistë që qëndronin afër foltores së Kuvendit. Luan Memushi, zyrtarisht deputet i PS-së, është i vetmi që ka shprehur mbështetje publike ndaj grevës, ndërsa katër deputetë të tjerë kanë shprehur solidarizim me aktin e kolegëve të tyre. Pak ditë më parë, në Komisionin e Ligjeve, kur u mor në shqyrtim një draft ligjor ku relatori ishte Spartak Braho, Pandeli Majko, Elmaz Sherifi, Besnik Dervishi si dhe Bashkim Fino u larguan në mënyrë demonstrative nga mbledhja, pasi kërkuan shtyrjen e shqyrtimit të draftit derisa Braho të jetë sërish i pranishëm në sallë.
Braçe: Greva, njësoj si e minatorëve
Zëri zyrtar i Partisë Socialiste, numri dy i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, bëri të ditur dje qëndrimin personal të kësaj partie kundrejt grevës së urisë së dhjetë deputetëve. Braçe deklaroi qëndrimin krejtësisht indiferent ndaj kësaj greve, duke vënë shenjë barazimi ndaj çdo lloj greve tjetër të këtij lloji dhe të organizuar nga grupet më të ndryshme shoqërore, ndërsa mohoi se ka një marrëveshje PD-PS për Kodin e ri Zgjedhor. “Këtu është bërë një zgjedhje të cilën askush nga ne, po e përsëris, askush nga ne, nga opozita, nuk do ta dëshironte apo ta kishte nga pikëpamja humane. Këtë e kam përsëritur disa herë gjatë këtyre ditëve, por që është një zgjedhje të cilën e ka të drejtë ta bëjë cilido, të cilën ne ia njohim si të drejtë kushtetuese dhe sovrane kujtdo që do të shprehë mospëlqimin, mospranimin apo edhe deri refuzimin ndaj çdo projekt-akti apo akti legjislativ apo edhe më gjerë se kaq”, - tha Braçe. Sipas tij, po aq e drejtë është të shohësh minatorët, të papunët, ish-ushtarakët, të sëmurët kronikë, talasemikët, paraplegjikët, studentët në një grevë urie sikundër po bëjnë edhe deputetët. “Por, do të doja me shumë modesti, edhe për kushtet e seancës të refuzoja deri në neveri të gjitha aludimet, akuzat e bëra këtu dhe jashtë sallës për marrëdhënie apo marrëveshje, për pazar apo biznes tonin me Sali Berishën”, - tha Braçe. Sipas tij, Partia Socialiste ka hyrë në procesin e hartimit të kodit me synimet e saj brenda të gjitha kritereve demokratike, të gjitha institucioneve që monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri dhe që natyrisht mbikëqyrin dhe certifikojnë zgjedhjet në Shqipëri.
Paskal Milo: Greva të mos jetë për interesa personale
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi dje mbështetjen për grevën e urisë, por shpreson që ajo të mos bëhet për interesa personale. Sipas tij, Demokracia Sociale u përjashtua së bashku me dy-tri parti të tjera në Komisionin e fundit parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe nuk janë aktualisht pjesë e procesit të hartimit të këtij kodi zgjedhor. “Nga pikëpamja parimore, duke shpresuar se edhe kolegët tanë grevistë janë futur në grevën e urisë jo thjesht dhe vetëm për interesat politike të përfaqësimit të partisë së tyre, por për interesa parimore gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike parlamentare, ne kemi shprehur dhe shprehim përkrahjen dhe mbështetjen tonë në parim për të gjitha përpjekjet që po bëhen për të zgjidhur këtë ngërç në të cilin është futur politika shqiptare”, - tha ai. Ai u bëri thirrje dy forcave politike të mëdha që kanë peshën dhe rolin kryesor në hartimin e Kodit Zgjedhor që të marrin iniciativën dhe të bëjnë ndryshimet e duhura për të realizuar atë që kërkojnë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, gjithëpërfshirjen në procesin zgjedhor dhe në administrimin e rezultatit zgjedhor të të gjitha partive politike parlamentare ose krijimin e grupeve teknike të numërimit të votave me juristë që njohin përgjegjësinë para ligjit.