E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirakaj: Kurt Kola nuk përfaqëson ish-të përndjekurit

05/03/2012  Kreu i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë reagon pas tryezës së PS-së të së premtes

“Kola përfaqësoi në atë tryezë vetëm veten dhe interesat e tij individuale, jo ne”

Pjesëmarrja e Kurt Kolës në tryezën e Partisë Socialiste, që u mbajt të premten nga grupi i punës i kësaj partie për të përndjekurit, për kreun e Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, është një zgjedhje personale e vetë Kolës, s’ka lidhje me interesat e ish-të përndjekurve. “Kurt Kola së bashku me nja dy persona të tjerë që ndodheshin në tryezën e thirrur nga Partia Socialiste të premten e kaluar nuk përfaqësojnë asnjë nga të ish-përndjekurit apo të burgosurit politikë. Është e vërtetë se ai është një person që ka qenë përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës, por kjo nuk e bën atë përfaqësues të të gjithë shtresës së ish-të përndjekurve. Ai përfaqësoi në atë tryezë vetëm veten e tij dhe interesat e tij individuale, të cilat nuk kanë lidhje me shoqatën tonë”, – theksoi dje Mirakaj për “Metropol”. Ndërsa përpjekjen e kreut të PS-së Edi Rama për përfshirjen e tyre në programin e PS-së kreu i Institutit të ish-të Përndjekurve e quan hipokrizi elektorale dhe propagandën e radhës së pinjollëve të komunizmit. “Vetë kreu i PS-së dhe PS-ja në përgjithësi nuk mund të jetë zëri i ish-të përndjekurve, pasi ajo ende nuk ka bërë shkëputjen nga e kaluara e saj duke mos kërkuar falje. Ky veprim i Ramës është një truk i tij për të mbledhur dhe votat tona. Edi Rama shikon ëndrra me sy hapur, ndaj ta harrojë se vjen në pushtet nga votat e ish-të përndjekurve”, - tha Mirakaj.

Tryeza e PS-së për të përndjekurit

Me qëllim hartimin e programit të ri politik, të premten e kaluar Partia Socialiste organizoi një tryezë të thirrur nga grupi i punës për të përndjekurit. Gjatë fjalës së tij kryetari i PS-së, Edi Rama, akuzoi mazhorancën se “nuk ka bërë asgjë për të lehtësuar plagët e ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri”. Kryesocialisti u shpreh se partia e tij ka një projekt për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›