E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratimi i 3 ligjeve, OSBE:Tani drejt të ardhmes më të mirë

TIRANË - Ambasdori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth e cilësoi një hap konstruktiv  dhe një hap i rëndësishëm për këtë vit vendimtar të Shqipërisë miratimin e 3 ligjeve sot nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai ka reaguar menjëherë për mediat pas daljes së tij nga Kuvendi.
 
“Kjo ditë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi hapi rrugën për hapa të mëtejshme të reformave. Unë mendoj se gjithë shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lumtur; ky ishte një hap konstruktiv drejt një të ardhmeje më të mirë, që të gjithë e prisnim", ka qenë reagimi i parë i Wollfarth.
 
Ai ka theksuar pozitivitetin sidomos për faktin se "ky miratim hap rrugën drejt reformave në këtë vit shumë të rëndësishëm, vendimtar për Shqipërinë".

Wollfarth nuk ka harruar dhe ka dashur të përgëzojë gjithë ata që janë marrë me përgatitjen e këtyre 3 ligjeve. 

"OSBE është pjesë dhe dëshiron të jetë pjesë e këtyre përpjekjeve, e reformave konstruktive, se integrimi europian do të thotë më shumë paqe dhe prosperitet. Ishte ditë goxha lehtësuese për gjithë shqiptarët e të shpresojmë se do të jetë hapja e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë.
 
Pyetjes se mbyllja e Kuvendit, i mbyll rrugën rikompozimit të KQZ, Wollfarth i është përgjigjur: "Le të jemi optimistë! E kam thënë mendimin tim për KQZ-në, që duhet të jetë e plotë, por le ta ndajmë këtë gjë nga miratimi i 3 ligjeve. Kur ndërton të ardhmen e një vendi s’mund të jesh kurrë aq konstruktiv sa duhet të jesh", përfundoi fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri.  
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›