Miratohen rekomandimet e interpelancës

Interpelanca ishte thirrur nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me çështjen e të pagjeturve.
Me 55 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim janë votuar këto rekomandime nga ligjvënësit.
Në këto rekomandimet thuhet:
Kërkojmë nga Qeveria të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve të mëtejme me Serbinë, me zbardhjen e fatit të plotë të tyre.
Kërkojmë nga të gjithë organizmat e përfshirë në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur të intensifikojnë punën me qëllim të identifikimit të mundshëm të mbetjeve mortore si dhe përkrahjen në sigurimin dhe procedimin e informatave të reja.
Kërkojmë nga instituti i Kosovës për krime lufte që të grumbullojë dokumente e fakte për krimet e bëra nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare serbe në Kosovë gjatë periudhës 1998-99.
Mediat ta kenë në fokus çështjen e të zhdukurve dhe të japin kontributin e tyre që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë.
Në interpelancë ishte thirrur zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, për të raportuar lidhur me fatin e të zhdukurve dhe bisedimet që janë zhvilluar me Serbinë në Bruksel.
Pas një debati të gjatë, për fatin e të pagjeturve, seanca ka vazhduar me miratimin e raportit financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011 dhe disa raporteve të tjera. /kosovapress/