E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen studimet për zonat industriale të Porto-Romanos e Gjirit të Lalëzit

Berisha: KRRTRSH nuk do të miratojë asnjë plan urbanistik, pa u përfshirë në të sipërfaqja e nevojshme për kënd lojërash për fëmijët


Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi ‘studim urbanistik i zonës Qesarakë, në komunën Dajt, në qarkun Tiranë”. Duke komentuar këtë studim, Kryeministri Berisha u shpreh se KRRTRSH nuk do të miratojë asnjë plan urbanistik, në rast se projekti nuk përcakton një sipërfaqe për kënd lojërash për fëmijët. Pavarësisht se ky studim sot miratohet, u shpreh Kryeministri, asnjë vendim nuk do të zbardhet pa u faktuar këndi i lojërave për fëmijët.


“Nuk do të miratohet asnjë plan urbanistik i cilitdo qyteti në vend, në qoftë se nuk ka të përcaktuar sipërfaqen e nevojshme të këndit të lojërave për fëmijët. Kjo miratohet, por nuk zbardhet pa u faktuar këndi i lojërave për fëmijë. Çdo plan tjetër do të ketë kushtin ‘sine equanon,’ një kënd i bollshëm lojërash për fëmijë. Një djalë 15 vjeçar nga Gjirokastra më dërgoi një mesazh ku më thoshte; ‘meqenëse qeveritarët vendorë nuk mendojnë për ne, ju lutem bëni çdo gjë që të kemi kënde lojërash për fëmijët”. Kjo do të thotë që çdo projekt, çdo plan dhe gjithçka nuk vjen në KRRTRSH pa pasur të përcaktuar territorin e lojërave për fëmijë. Shembulli i shëmtuar dhe më i keq është Tirana, në të cilën fëmijët fatin më të madh e kanë të shkojnë e të dalin tek Liqeni, por nuk ka një park të vërtetë lojërash. Ndaj, ky Këshill nuk do të miratojë dhe nuk do të shpallë asnjë plan urbanistik në të cilin nuk janë përcaktuar hapësirat për fëmijët”, u shpreh Kryeministri.


Mbrojtja e mjedisit


Në mbledhjen e sotme të KRRTRSH-së, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Mjedisit z. Lufter Xhuveli që të bëhet një studimi për efektin kumulativ që shkaktojnë fabrikat e çimentove në mjedis. Duke e cilësuar këtë studim si tepër të rëndësishëm, Kryeministri kërkoi që brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për shpalljen e tenderit për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira, e cila do të bëjë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër.


“Zoti ministër i Mjedisit, Lufter Xhuveli, në një mbledhje të është kërkuar dhe sërish të kërkoj që të bëhet studimi i efektit kumulativ të fabrikave të çimentove mbi mjedisin. Ky studim është i domosdoshëm, sepse mjedisi duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si përparësi madhore e jona. Individë apo grupe të caktuara kanë shprehur shqetësim për ndërtimin e tyre dhe përgjigja jonë më e mirë është studimi i efektit kumulativ të këtyre çementerive. Mbi këtë bazë ne marrim të gjitha vendimet. Për ne mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij janë përparësi absolute. Ndaj dhe mundësisht brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për të shpallur tenderin dhe për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira për të bërë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër”, u shpreh Kryeministri Berisha.


Më tej, Kryeministri u shpreh se në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet për miratimin e lejeve të ndërtimit të katër fabrikave të prodhimit të çimentos. “Ne do i miratojmë ato, por vendimi do të zbardhet vetëm pasi të kemi në dorë studimin serioz mbi efektin e tyre. Kam bindjen më të madhe se adaptimi i teknologjive moderne dhe marrja e të gjitha masave për zvogëlimin e ndotjes i bën ato plotësisht të mundshme. Ne do të bëjmë studimin dhe atë do t’a bëjmë transparent për publikun dhe për grupet e interesit, të cilat dhe ato vetë mund të përfshihen në këtë proces. Çdo vonesë në këto investime ka një çmim për ekonominë shqiptare, ka një çmim për punësimin dhe duhet ta zvogëlojmë sa më shumë në kohë studimin për efektin e tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.


Vendime të tjera

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë mori këto vendime;
1- Sheshi i ndertimit për Hidrocentralin Ashtë, në komunën Bushat, Qarku Shkodër.
2- Shesh dhe leje ndërtimi për depozitat e karburantit në Porto Romano, për shoqërinë “Anoil”
3- Studim urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin “Kompleks rezidencial banimi me 2,3 dhe 4 kate, me sipërfaqe 21216 m2 në fshatin Lundër, komuna Farkë (vendimi do të zbardhet pasi në të përfshihet ndërtimi i kampusit universitar)
4- Masterplani për zhvillimin e integruar të zonës energjike dhe industriale të Porto Romanos, në Durrës, infrastruktura dhe konturet e saj.
5- Shesh ndërtimi për objektin e “Hidrocentralit Lura 1, Lura 2 dhe Lura 3”.
6- Studim urbanistik pjesor për Park Logjistik Industrial, në Laknas, qarku Tiranë.
7- Shesh ndërtimi për fabrikë prodhimi, paketimi dhe tregtimi për produktet blegtorale në fshatin Pezë e Vogël, komuna Pezë.
8- Shesh ndërtimi për objektin “Tirana Business Park”, më sipërfaqe 2.1 hektarë, në komunën Prezë.
9- Leje për Shesh ndërtimi për godinën 1,2,3 dhe 5 kate me destinacion hotel, me 1 kat parkim nëntokë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. (hotel Hilton, Prezë, me investitor “Albanian Hospitality”.
10- Studim urbanistik pjesor, shesh dhe leje ndërtimi për pastrimin mjedisor të Uzinës së Sodë-PVC.
11- Studim urbanistik i zonës Qesarakë, në komunën Dajt, në qarkun Tiranë.
12- Studim urbanistik i zonës me përparësi zhvillimin e turizmit Rradhimë – Orikum.
13- Detyra e projektimit, studim dhe shesh ndërtimi për “Fabrikë riciklimi të mbetjeve plastike, në fshatin Bitinskë, komuna Bilisht”
14- Studim Urbanistik Pjesor, në fshatin Hamallë, të zonës kadastrave 1925, me sipërfaqe 43.69 hektarë, në bashkinë Sukth, inv.”Mane TCI” dhe “CSS Property Partners LP”.
15- Studim urbanistik pjesor, në zonën 13/E dhe 13/D, në zonën turistike Gjiri i Lalzit.
16- Studim urbanistik pjesor, në territorin me sip. 15.5 ha, në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.
17- Studim urbanistik pjesor, në territorin me sip. 9.3 ha, në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.
18- Studim Urbanistik pjesor në fshatin Lanabregas, komuna Dajt.
19- Detyra e projektimit dhe studimi urbanistik për zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e bregut në hapësirën bregdetare Derdhja e Vjosës- Hidrovori

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›