E Diel, 1 Nëntor 2026

PS dhe LSI vazhdojnë sherrin për buxhetet vendore

Nga L.Progni

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u përfshinë dje në një debat tjetër, pasi nuk u arrit që në Këshillin Bashkiak të Korçës të votohej për buxhetin.

Zëdhënësja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli, tha se Berisha dhe Meta bashkuan sërish votat. “Pas Tiranës edhe Korça bëhet peng i interesave të oborrit të Ilir dhe Monikës. Mes të ardhmes e të shkuarës, ai ka zgjedhur interesat dritëshkurtra që sollën Sali Berishën në pushtet në 2005. Ne iu bëjmë thirrje socialistëve që me idealizëm e pasion e ndoqën mbrapa Ilirin në 2005, që të kuptojnë se sot është dita e bashkimit të ri për të ardhmen dhe e ndarjes me politikën e dasive të vjetra të së shkuarës”, - tha Kodheli.

Por Lëvizja Socialiste për Integrim e quajti këtë një tymnajë keq-informuese.

“Informojmë opinionin publik se në Bashkinë e Korçës apo në Këshillin Bashkiak të saj, nuk ka pasur asnjë votim për arsyen e thjeshtë, se nuk është arritur kuorumi, më thjesht numri i nevojshëm i pjesëmarrësve i këshilltarëve për votim, për arsye se këshilltari i Aleancës Demokratike që bën pjesë në grupin e majtë, nuk mori pjesë në votim. Duke qenë se e majta dhe e djathta janë në raport 18 me 17, kuptohet qartë se mungesa e këtij këshilltari e bëri të pamundur procesin e votimit ligjërisht.

Së dyti, opinioni publik duhet të dijë edhe pozicionin e LSI mbi këtë çështje. E vërteta është se këshilltarët e LSI në këtë bashki kanë votuar “Pro” këtë p/buxhet në Komisionin e Financave ku ai përgatitej”, - tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›