Berisha: Ka varfëri për shkak të papërgjegjshmërisë së pushtetit vendor
Kryeministri Berisha është shfajësuar dje për varfërinë në shumë familje shqiptare duke akuzuar njësitë e qeverisjes vendore në vend për gjendjen e vështirë. Kryeministri tha se mundësitë e Shqipërisë janë të shumta, niveli i zhvillimit të vendit është i mirë dhe ndërkohë shumë familje jetojnë në vështirësi. “Përse injorohet nëna me 3 fëmijë që i mban ata vetëm me pensionin e bashkëshortit të saj, të cilin nuk e ka më në jetë? Me çfarë do ta përballojë jetën ajo? Ajo robtohet nga mëngjesi deri në darkë vetëm për shkak të pashpirtësisë së aparatit burokratik, vetëm për shkak të qëndrimit çnjerëzor të autoriteteve vendore kudo që ato ndodhen dhe të cilësdo force politike që i përkasin, ndaj këtyre njerëzve”, - tha kryeministri. Kryeministri nuk pranoi asnjë faj dhe asnjë dështim të tijin dhe të qeverisë për politikat. Ai nuk tha për shembull se si qeveria nuk e ka rregulluar me ligj çështjen e nënave, fëmijët e të cilëve nuk e kanë babanë. Ai nuk mbajti asnjë përgjegjësi, sepse pas katër vjetësh ende ai nuk ka mundur t’iu krijojë shanse të barabarta njerëzve, nuk ka mundur t’iu mundësojë familjeve shqiptare të ushqejnë fëmijët e tyre. Sasia e parave që shpenzon qeveria në një vit, është të paktën dhjetë më e madhe sesa ajo që shpenzojnë të gjitha bashkitë dhe komunat në vend të marra së bashku. Për buxhetin e këtij viti shpenzimet e qeverisë kanë 309 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e të gjitha komunave dhe të bashkive janë 36 miliardë lekë. Sasia e parave që qeveria iu një bashkive dhe komunave në vend në formën e granteve të pakushtëzuara, pará të cilat bashkitë dhe komunat mund t’i përdorin sipas përparësive të tyre, është 18,4 miliardë lekë ose rreth 20 më pak sesa sasia e parave që shpenzon qeveria. Veç mundësive pakrahasimisht më të mëdha financiare që ka qeveria përkundrejt pushtetit vendor, ajo ka edhe një Ministri të Çështjeve Sociale, ka zyra të punës dhe të ndihmës ekonomike në të gjithë vendin. Po ashtu, qeveria ka pushtetin që të rregullojë me ligj ndihmën për familjet e varfra. Të gjithave këtyre kryeministri iu shmang dhe tha se qeveria ka rritur paratë për të luftuar varfërinë. Megjithatë, akuzat e djeshme ndaj pushtetit vendor dëshmojnë për pranim të gjendjes së rëndë sociale të vendit dhe kjo është shumë e rëndësishme, pavarësisht se nuk pranohet përgjegjësia. Dështimi është i qartë dhe po ashtu edhe përgjegjësia. Vetëm dje kryeministri, pas katër vitesh, tha se ky është një problem shumë i dhimbshëm, ndaj për këtë çështje do të ngrihet një grup pune ndërministror. Ne rimbursojmë miliarda e miliarda lekë, por në radhë të parë duhet t’ua adresojmë rimbursimin e plotë atyre që nuk mund të japin dot asnjë qindarkë. Skema e rimbursimit duhet të nisë në radhë të parë nga ata që janë në pamundësi të plotë ekonomike”, - u shpreh kryeministri Berisha duke pranuar me fjalë të tjera dështimin.