Miratohet Kodi Zgjedhor, abstenon LSI, kundër Mediu e Oketa. Arvizu: Humba disa baste, nuk e mendoja se do miratohej
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë miratuar me konsensusin e shumicës dhe opozitës në Kuvend. 127 vota pro ka marrë Kodi i ri Zgjedhor. Ndërkohë kundër kanë votuar Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane dhe Gazmend Oketa, drejtues i grupit nismëtar të Frymës së Re Demokratike.
Ndërsa tre deputetët e LSI, Vangjel Tavo, Lefter Koka dhe Nasip Naço kanë abstenuar ndaj ligjit, si për të dhënë një sinjal se edhe mund të mos ishin dakord me të, por fakti se do hyjnë në koalicion me PD, duke marrë llokmën e madhe, i bën të ndihen mirë.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi pas votimit se u plotësua një nga 12 kushtet e Komisionit Europian.
Kurse ambasadori amerikan, Alekandër Arvizu, deklaroi për mediat në oborrin e parlamentit se ka humbur disa baste pasi nuk e mendonte se do të votohej reforma zgjedhore.
Nuk e kisha menduar se do e kalonin reformën zgjedhore. Gjithashtu e kuptoj zotin Dule, zotin Oketa e Mediu, sepse e di që ka pasur diskutim për një mekanizëm të korrektimit. Kjo nuk ka qenë e mundur këtë herë, por do jetë e mundur ndoshta herën tjetër. Në fakt humba disa baste se kisha menduar se nuk do e kalonin, tha Arvizu.
