Berisha: Garantoj aleatët për besnikëri të palëkundur dhe një aleancë që fiton zgjedhjet
Kryeministri foli në parlament në lidhje me imunitetin duke thënë se nuk e bën për kapital politik betejën për heqjen e tij, por i dhimbsen qytetarët shqiptarë
Kryetari i PD, njëkohësisht kryeministër i vendit, Sali Berisha, vlerësoi në parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Ligji i parë ishte plotësisht konsensual, por në dy provat e rëndësishme u evidentuan problematika që duheshin adresuar për tu përsosur. Ligji i mëparshëm ka meritën e jashtëzakonshme sepse i dha Shqipërisë sistemin më preciz të numërimit të votave në planet, i dha Shqipërisë një sistem përfaqësimi rajonal shumë më të mirë se të mëparshmit, të të gjitha qarqeve të vendit. Ka meritën sepse prodhoi zgjedhje, që sipas vëzhguesve ndërkombëtarë plotësuan kriteret kryesore të OSBE/ODIHR dhe nuk pati asnjë provë për manipulim rezultati ose numërim të parregullt.
Ligji u testua në zgjedhjet lokale dhe pavarësisht momentit dramatik të përjetimit të rezultatit, ligji bëri të mundur që çdo votë e qytetarëve shqiptarë të numërohej përpara syve të tyre dhe të gjithë botës.
Natyrisht ligji ka mangësitë e veta, që u adresuan. Nuk mund të thuhet se nuk kishte boshllëqe për votat e hedhura gabim. Ligji i jep përgjigje të qartë të gjithë problematikës që ekzistonin në interpretimin e nenit për komisionin zonal të Tiranës, tha Berisha.
E meqë aleati i tij, Fatmir Mediu u ankua për Kodin Zgjedhor, Berisha tha se ai është mjeshtër i aleancave dhe i garantoi aleatët për besnikëri të palëkundur, ndryshe nga sa bën Edi Rama.
Dy fjalë për aleatët. Po të isha në vendin e tyre, do mbaja ligjërata edhe më të forta kundër Sali Berishës e Edi Ramës. Por ata duhet të lexojnë historitë e aleancave të Edi Ramës me aleatët e tij dhe pastaj ato të aleancave të Sali Berishës.
Unë ju ofroj besnikërinë time të palëkundur dhe një aleancë që do të fitojë zgjedhjet, tha Berisha.
Kryeministri foli edhe për heqjen e imunitetit duke thënë se nuk e bën këtë për kapital politik, por se i vjen keq për qytetarët.
Nuk ka parim më themelor në një shoqëri se parimi i barazisë para ligjit. Çfarë mendojmë ne, se qytetarët nuk janë në gjendje të mendojnë se përse e heqim ose nuk e heqim ne imunitetin? Nëse nuk e heqim, u themi se kemi frikë nga dora jonë, nga veprat tona. U themi se nuk e heqim se kemi frikë të barazohemi me ju.
Nuk dua të nxjerr kapital politik. Dua të jetë një proces i përbashkët, ku të fitojnë mbi të gjitha qytetarët shqiptarë, që të shohin politikanët të barabartë. Kështu fiton Shqipëria.
