E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet akti normativ për largimin e varrezave të makinave

27-09-2011 / Gazeta 55

Komisioni parlamentar i Mjedisit

Mes debatesh të mazhorancës dhe opozitës, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dje aktin normativ “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”.
Akti synon marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës emergjente të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike, të dala jashtë përdorimit, pranë rrugëve kombëtare, të cilat kanë ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin. Ndërkohë, me anë të këtij akti normativ parashikohet ndalimi i krijimit të vendgrumbullimeve dhe grumbullimin e mjeteve motorike, rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, në një distancë, jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe në vende të tjera të paautorizuara nga organet apo institucionet përkatëse, të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qellim.
Pronarët ose poseduesit e vendgrumbullimeve ekzistuese të mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që nuk plotësojnë kërkesat e aktit normativ brenda një muaji nga hyrja në fuqi e tij, duhet t’i largojnë me shpenzimet e veta nga vendndodhja e tyre aktuale këto mjete. Ato mund t’i rivendosin në vende të tjera, të lejuara dhe të autorizuara për këtë qellim, duke zbatuar edhe kërkesat e tjera ligjore për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbrojtjen e mjedisit, përcakton projekt/akti. Zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, duke mbrojtur aktin normativ tha se varrezat e makinave pranë akseve kombëtare krijojnë ndotje dhe mbartin rreziqe aksidentesh. “Rezulton se në Shqipëri ka afro 290 varreza makinash. Të 290 vendosjet janë problematike përsa i takon cilësisë së mjedisit, por edhe sigurisë rrugore. Dhe si të tilla është menduar që duhet të largohen nga akset kryesore të rrugëve kombëtare”, u shpreh zëvendësministri Taulant Bino.
Por, kundër aktit normativ dolën anëtarët socialistë të komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, marrëzia e të cilëve shkon përtej të paimagjinueshmes, teksa ngritën pretendimet për ekzaminimin e të gjitha automjeteve në varreza, pasi mund të jenë përdorur në aktivitete kriminale!
“Mënyra si është zgjedhur që ato varreza të largohen nga rrugët është krejtësisht arbitrare dhe aspak serioze dhe në fund nuk do të rezultojë efikase. Rreth 25-30 për qind të makinave që figurojnë të regjistruara janë dhe gjenden në varrezat e makinave, por a janë të identifikuara ato? Duhet të fillojë një proces identifikimi, është shumë me rëndësi sa makina janë të regjistruara sa janë të pa regjistruara. Ka qenë një problem shqetësues që makina që janë përdorura gjatë aktiviteteve kriminale gjenden në varrezat e makinave”, u shpreh deputeti socialist, Eduart Shalsi.
Pas kundërshtimeve deputetët e opozitës janë larguar komisioni parlamentar i veprimtarive prodhuese, ndërkohë që akti normativ u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›