Miratohet buxheti, mbesin jashtë shtresat në nevojë, të përndjekurit, ish-pronarët
Bien investimet, qeveria kthehet në realitet
Buxheti suplementar shënon ulje të investimeve publike në krahasim me janarin 2008 për rreth 11 miliardë lekë ose 150 milionë dollarë, ndërsa qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond kompensimi për familjet e varfra shqiptare të goditura rëndë nga inflacioni i lartë i jetesës së tyre, skemë kjo e detyrueshme për t’i asistuar këto familje. Një nga pikat më të kritikuara nga ana e opozitës në buxhetin shtesë janë investimet publike, por edhe për masat që mungojnë për sa i përket rritjes së çmimeve. Në të vërtetë rënia e investimeve duhet parë si një kthim në realitet, pasi heqja nga buxheti e një pjese të konsiderueshme të financimeve të huaja thjesht pasqyron realitetin. Financimet e huaja, pavarësisht sesa qeveritë i kanë pasqyruar ato në buxhete në fund të vitit, nuk realizoheshin as 40 për qind. Qeveritë socialiste e kanë patur shumë më të ulët këtë përqindje se qeveria e viteve të fundit. Duke e hequr një pjesë të këtyre investimeve qeveria thjesht tregohet më realiste, pasi në të vërtetë ato kurrë nuk do të investoheshin. Kësisoj, është e vështirë të thuhet se kemi me buxhetin e ri një rëne të investimeve. Kryeministri Berisha e mbrojti këtë argument me të drejtë, pavarësisht se ai këtë gjë mund ta kishte bërë që në buxhetin e miratuar fundvjeshtën e kaluar.
Bode: 10 miliardë lekë për rrugët, shumicën për atë Durrës-Kukës
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka shpjeguar dje në parlament gjatë diskutimit në parim të buxhetit destinacionin e shpenzimeve shtesë në buxhetin 2008. “Janë alokuar përfundimisht 5 miliardë lekë për shtesën e pagave dhe pensioneve për 6-mujorin e dytë, si dhe 1 miliard lekë për asistencën sociale, për të mbështetur pikërisht shtresat në nevojë dhe për të kompensuar rritjen e çmimeve në 6-mujorin e parë. Shtesa pra është me 10 % nga 4 % që është niveli i inflacionit. “Fondet e buxhetit shtesë do të përdoren gjithashtu për investime publike. Ministria e Transporteve do të përdorë 10 miliardë lekë, nga të cilat 8 miliardë lekë për të financuar investimet në proces, të cilat po progresojnë dhe që janë të mundshme të financohen për një afat të shkurtër dhe 2 miliardë lekë shkojnë për fondin e shpronësimeve për investime, pasi fondi i dhënë në fillim të vitit është shpenzuar tashmë për shkak të fillimit të një numri të madh veprash”, - tha Bode.
Gjatë pjesës së dytë të këtij viti, qeveria është detyruar që të zbatojë një kërkesë të bërë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e nivelit të borxhit publik. “Do të reduktojmë deficitin, siç theksova më lart nga 7.9% në 5.2%. dhe kemi bërë formulime të tilla që ky deficit të realizohet për shkak të nevojës që kemi për të financuar investimet që tashmë po progresojnë me shpejtësi.