Miratohet buxheti shtesë, opozita kundër
Është miratuar sot në kuvend pas një debati të gjatë buxheti shtesë për vitin 2008. Hedhja në votim shumë e nxituar e neneve të buxhetit nga ana e Kryetares së Kuvendit është kundërshtuar nga opozita e pranishme në sallë. Nga votimi përfundimtar në formë elektronike buxheti është miratuar me 71 vota pro, 20 kundër dhe 2 abstenim.
Arben Malaj në emër të grupit parlamentar të PS-së ka theksuar sërish qëndrimin kundër duke thënë se: “Është buxhet dështimi. Të ardhurat vijnë nga tatimi i konsumit dhe tatimi i pagave ndërsa të tjerat janë dështim. Ky buxhet rrit të ardhurat me 14 miliardë lekë nuk ka asnjë politikë reduktuese të barrës fiskale dhe asnjë ndihmë për të varfrit”.
“Shikoni sa të alarmuar janë të gjitha vendet përfshi dhe fuqitë e mëdha për rritjen e çmimeve të naftës dhe ushqimeve, ndërkohë që vendi ynë raporton se nuk e ka ndjerë këtë inflacion” –tha Malaj.
Ndërkohë Ministri i Financave, Ridvan Bode është shprehur se: “Ky buxhet konfirmon politikën tonë se ulja e taksave ndikon në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Nisur nga demagogjia do të thoja se buxheti rikonfirmon rritjen e të ardhurave në terma realë dhe jo vetëm nominalë. Nuk them se ku i gjetëm 1.5 miliardë dollarë që ne i kemi shtesë. Ne mundëm që në harkun e tre viteve të shtojmë të ardhurat e buxhetit me 4 pikë përqindje mbi PBB-në” – tha Bode.
Të njëjtën gjë theksoi dhe Berisha lidhur me investimet dhe rritjen e të ardhurave.
Këto i kundërshtoi deputeti Erjon Braçe i cili mori fjalën pas kryeministrit. Ai tha se: “ Në rast se shqiptarët në 2005 donin 500 lekë të blinin një bukë, tani u duhen 1000 lekë. Pra qytetari shqiptar është më i varfër dhe jo më i pasur se më parë”
Bien investimet
Buxheti suplementar shënon ulje të investimeve publike në krahasim me janarin 2008 për rreth 11 miliardë lekë, ose 150 milionë dollarë, ndërsa qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond kompensimi për familjet e varfra shqiptare të goditura rëndë nga inflacioni i lartë i jetesës së tyre, skemë kjo e detyrueshme për të asistuar këto familje.
Deklarata ka ardhur nga deputetit i PS-së, Arben Malaj në seancën plenare të ditës së hënë në diskutimin në parim të buxhetit. Një nga pikat më të kritikuara nga ana e opozitës në Buxhetin Shtesë janë investimet publike, por edhe për masat që mungojnë përsa i përket rritjes së çmimeve.
“Në këtë buxhet, nuk ka asnjë shtesë për pagesën e papunësisë dhe ndihmës ekonomike dhe nuk përfshin asnjë qindarkë shtesë nga privatizimi i “ARMO”-s apo privatizime të tjera”,- tha Malaj. Sipas ish-ministrit të Financave, ky buxhet pasqyron rritjen e të ardhurave që vijnë nga rritja e kostos së jetesës së shqiptarëve. “Të ardhurat e pretenduara nga qeveria, janë pasojë e çmimeve të larta të importeve, ato vijnë kryesisht nga tatimi i mallrave më të domosdoshme duke goditur rëndë fuqinë blerëse, sidomos të shtresave me të ardhura më të pakta.
Një pjesë e këtyre të ardhurave vijnë nga tatimi i pagës minimale të pjesës më të madhe të shqiptarëve që janë goditur dy herë, një herë nga çmimet e larta dhe një herë nga tatimi i të ardhurave minimale”,- ka sqaruar Malaj. Deputeti i PS-së Malaj e ka vlerësuar nenin në buxhet që nxjerr jashtë tij “Të Ardhurat nga Privatizimet” si antikushtetues. “Është antikushtetuese që të lesh jashtë buxhetit të shtetit, të ardhurat që vijnë nga privatizimet”,- tha Malaj.
+++
Leskaj: Qeveria dështoi me Buxhetin 2008
Në fjalën e saj në Parlament gjatë seancës parlamentare të ditës së hënë, kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj ka kritikuar buxhetin shtesë, duke deklaruar se “investimet në buxhetin 2008 janë realizuar në masën 26.5% të programit vjetor. Dukshëm edhe këtë vit, mosrealizimet më të mëdha vijnë në sektorët prioritarë: -Arsimi, me realizim 25.8 %; Bujqësia dhe Ushqimi, me 24 % dhe Punët Publike, me 30.6%. Ndërkohë që me gjithë deklaratat e bëra për financimin e 1500 km rrugëve rurale, ende nuk janë siguruar më shumë se 10% e fondeve të nevojshme.
Investimet, siç u tha këtu, ulen me 11 miliardë lekë e natyrisht që shqiptarët nuk mund të presin më shumë punësim kur ulen investimet, të cilat shkojnë për uljen e deficitit që ju e dyfishuat gjashtë muaj më parë, kur miratuat buxhetin e vitit 2008”. Opozita ka bërë të ditur gjatë gjithë diskutimit të buxhetit suplementar në komisione se realisht ky projekt bën vetëm një rialokim fondesh dhe nuk është një shtesë në investime. “Sot ju po korrigjoni një pjesë të asaj që e rritët gjashtë muaj më parë dhe kaq. Ne nuk jemi aq naivë sa të besonim se atë që nuk e bëtë dot me tre vjet do ta bënit me korrigjimin e këtij buxheti, po të paktën mund të kishit bërë minimumin për ato që i keni quajtur vetë prioritete.
Fakti është që dhe me këto ndryshime, buxheti i vitit 2008, nuk afron zgjidhje të problemeve që ka vendi dhe mbetet larg adresimit të sektorëve prioritare që prekin direkt cilësinë e jetës së njerëzve. Ç’keni bërë me Arsimin si sektor prioritar? Keni premtuar se do të dyfishoni shpenzimet për të, deri në fund të mandatit.
Ky është buxheti juaj i fundit dhe jeni ende larg premtimit dhe natyrisht larg vendeve të rajonit, pa folur për standarde të BE-së. E njëjta gjë për Shëndetësinë, që është përkeqësuar në mënyrë dramatike. E cila është lënë në periferi dhe jashtë vëmendjes së qeverisë, siç ka pohuar dhe vetë Ministri i Shëndetësisë. Juve jeni ndofta e vetmja qeveri në botë që pasi e shitët Shëndetësinë te aleatët, keni hequr dorë prej saj”, - tha Leskaj.
Bode: 10 miliardë lekë për rrugët
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka shpjeguar ditën e hënë në parlament gjatë diskutimit në parim të buxhetit destinacionin e shpenzimeve shtesë në buxhetin 2008. “Janë alokuar përfundimisht 5 miliardë lekë për shtesën e pagave dhe pensioneve për 6-mujorin e dytë, si dhe 1 miliardë lekë për asistencën sociale, për të mbështetur pikërisht shtresat në nevojë dhe për të kompensuar rritjen e çmimeve në 6-mujorin e parë. Shtesa pra është me 10 % nga 4 % që është niveli i inflacionit. Fondet e buxhetit shtesë do të përdoren gjithashtu për investime publike. MPPTT do të përdorë 10 miliardë lekë, nga të cilat 8 miliardë lekë për të financuar investimet në proces të cilat po progresojnë dhe që janë të mundshme të financohen për një afat të shkurtër dhe 2 miliardë lekë shkojnë për fondin e shpronësimeve për investime, pasi fondi i dhënë në fillim të vitit është shpenzuar tashmë për shkak të fillimit të një numri të madh veprash”,- tha Bode.
Gjatë pjesës së dytë të këtij viti, qeveria është detyruar që të zbatojë një kërkesë të bërë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e nivelit të borxhit publik. “Do të reduktojmë deficitin, siç theksova më lart nga 7.9% në 5.2%. dhe kemi bërë formulime të tilla që ky deficit të realizohet për shkak të nevojës që kemi për të financuar investimet që tashmë po progresojnë me shpejtësi.
Kemi bërë një program realist dhe jo fillestarin, siç e kërkuan ministritë, lidhur me investimet e huaja. Pra, në një anë ne rrisim fondin e investimeve të brendshme publike me 14 miliardë lekë dhe në anën tjetër, ulim financimet e huaja dhe kjo jo duke shkurtuar kontrata, jo duke hequr objekte investimi ose anuluar marrëveshje kreditimi. Por progresi i ulët i punimeve në kontratat me donatorë, të cilat menaxhohen nga njësitë e ngritura prej tyre, nuk është në atë pritshmëri që kishin parashikuar ministritë e linjës dhe institucionet e tjera në fillim të vitit”, - tha Bode.