E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet drafti i Venecias për zgjedhjet: KQZ duhet të ndryshojë

Delegacioni parlamentar i Shqipërisë që mori pjesë në miratimin e draft-opinionit të përbashkët të hartuar nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR për zgjedhjet, ka qenë në një zë për rikonfigurimin e KQZ

TIRANË Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë një konfigurim krejt tjetër. Delegacioni parlamentar i Shqipërisë që mori pjesë gjatë shqyrtimit të draft-opinionit të përbashkët të hartuar nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i për zgjedhjet, ka qenë në një zë për rikonfigurimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pjesë e këtij delegacioni ishin kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, anëtari i komisionit të Ligjeve, Damian Gjiknuri dhe anëtari i përhershëm pranë Komisionit të Venecias, Viktor Gumi. Burime nga ky delegacion sqaruan mbrëmë për gazetën “Mapo” se gjatë takimit është miratuar me unanimitet draft-opinioni i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, ndërkohë që në këtë kuadër pala shqiptare ka këmbëngulur që të theksohet më shumë rikompozimi i KQZ-së (pjesë e këtij drafti) dhe ndryshimi i sistemit të ankimimit. Komisioni Europian për Demokraci nëpërmjet Ligjit, i njohur më mirë si Komisioni i Venecias, është organizëm këshillues mbi çështjet kushtetuese. Në projektin e hartuar nga dy anëtarë dhe një ekspert i Komisionit të Venecias, si dhe një ekspert i ODIHR-it, një hapësirë e konsiderueshme i është kushtuar edhe çështjes së votave të gabuara. “Nuk është e pazakontë, - thuhet në këtë opinion, - që fletët e votimit janë hedhur gabimisht në kutinë e votimit të gabuar brenda së njëjtës qendër votimi. Kodi dështon, - theksohet në këtë opinion, - në adresimin e problemit të numërimit të votave, të cilat ishin vendosur gabimisht nga votuesit në kutitë e gabuara. As nuk saktëson gjithashtu çështjen e KQZ-së mbi udhëzimet lidhur me këtë qëllim. Vendimi i KQZ-së, - thuhet në këtë opinion, - çoi në një polarizim edhe më akut të funksionimit të KQZ-së, si dhe në ankesat që shoqëruan gjithë procesin”. Pavarësisht kësaj, Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-it rekomandojnë që “Kodi, shprehimisht të adresojë problemin e votave të hedhura në kutinë e gabuar”. Për ekspertët, “sfida kryesore mbetet gjithashtu largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuara në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jopolitikë dhe të paanshëm. Ky ndryshim, – theksohet, - është i domosdoshëm nëse kërkohet të ulen polarizimi dhe konfliktet në administratën zgjedhore”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›