Topi- Berishës: Në politikë qëndroj në mes të fushës
Topi sugjeron: “Gjithmonë trajneri e mëson ekipin duke i thënë të hapë lojën dhe të mos e ngushtojë. Kështu ju them dhe unë juve shumë miqësisht. Hapeni lojën! Mos qëndroni në zona të ngushta”
Pogradec- Në ditën e “Festës së Verërave 2011”, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nga qyteti i Pogradecit i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Sali Berisha se ai duhet të jepte dorëheqjen që në momentin që shpalli krijimin e një partie të re. Kundrejt pretendimit të kryeministrit se ai ka shkelur Kushtetutën, Presidenti i Republikës ka deklaruar se që prej fillimit të detyrës e deri në përfundim të saj, veprimtaria e tij do të jetë në përputhje të plotë me të gjitha detyrimet kushtetuese. Në fakt, Topi i ka paraprirë kureshtjes së gazetarëve teksa përgjigjen e ka dhënë njëherazi bashkë me pyetjen se pse ai nuk ishte i pranishëm në 21-vjetorin e themelimit të PD-së, edhe pse Berisha në anën tjetër sqaroi se nuk kishte ftesë zyrtare nga PD-ja drejtuar tij. “Sot është dita që të mos bëjmë komente të natyrës politike. Madje, do ju kujtoja ju për t’iu referuar pak futbollit. Gjithmonë trajneri e mëson ekipin duke i thënë të hapë lojën dhe të mos e ngushtojë. Kështu ju them dhe unë juve shumë miqësisht. Hapeni lojën! Mos qëndroni në zona të ngushta. Fakti që jeta është shumë e gjerë, ka shumë dimensione, nuk ka vetëm politikë. Unë do të thosha që gjëja më e mirë që mund të bëni ju gazetarët sot, t’i bëni jehonë dhe promocion kësaj feste, të jeni afër qytetarëve, sepse promocioni i një feste është dhe promocion për turizmin. Ky qytet ka vërtet nevojë që të stimulohet për turizëm, sepse është buzë një liqeni, që besoj se është unikal në Europë. Qyteti ka traditat e veta dhe unë erdha për ta ndarë pikërisht këtë gëzim, kënaqësi me të gjithë qytetarët. Për politikën kemi kohë të bisedojmë. Por besoj që politika në këtë qytet kaq të bukur zë vend ose mban peshën e vet nëpërmjet një mesazhi që japin qytetarët. Është qytet shumë i ekuilibruar”, - tha Topi. I pyetur sërish nga media se ka qenë ai që ka hapur lojën politike, Topi ka ironizuar: “Ju e dini që unë kam qenë gjithmonë lojtar i mesit të fushës në futboll, besoj edhe në politikë”. Në një atmosferë miqësore, Presidenti i Republikës u prit dje nga kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, si dhe qytetarë të shumtë pogradecarë por edhe nga rrethinat përreth, të mbledhur me rastin e “Festës së verërave 2011”. Vizitorë të qytetit të Pogradecit me këtë rast ishin dhe përfaqësuesit diplomatikë të Holandës dhe të Izraelit. Kryetari i Shtetit zhvilloi së pari një takim në zyrën e kryetarit të Bashkisë së qytetit të Pogradecit, Artan Shkëmbi, të cilit i shprehu vlerësimin dhe konsideratën për angazhimin dhe organizimin e të tilla veprimtarive popullore.