E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kostandin Kristoforidhi”, gjimnazi që mëson edhe nxënësit 40-vjeçarë

Autori i Lajmit: Lili Saraci

“Bëhu i ditur, sepse dituria lartëson popuj. Lufto injorancën, pasi injoranca shkatërron shtete”. Këtë motiv e gjejmë në një shkollë për të cilën qarkullojnë anekdota, por që në fakt na rezulton një nga shkollat që ka arsimuar disa nga njerëzit më të suksesshëm të Shqipërisë. Është fjala për shkollën e mesme të përgjithshme me kohë të shkurtuar “Kostandin Kristoforidhi”, e njohur ndryshe si “shkolla e natës”. Ajo është një ndër shkollat e para që ka mësuar me qindra nxënës, të cilët sot i gjen në radhët e artistëve, aktorëve, këngëtarëve, sportistëve e deri tek shkencëtarë dhe mjekë të zotë. Kështu shkolla e mesme me kohët të pjesshme “Kostandin Kristoforidhi”, e cila ka qenë dhe është e vetmja shkollë e llojit të saj që ka nxjerrë talente të mëdha siç është aktorja Elvira Diamanti e deri tek sportistët Igli Tare e Romela Bega e shumë të tjera si këta edhe sot e kësaj dite vazhdon me të njëjtat ritme, madje aty ka shumë nxënës që sot emrat e tyre i gjen në radhët e sportit. Nuk kanë mundur të arsimohen si bashkëmoshatarët e tyre për shumë arsye, por kanë gjetur forcë dhe vullnet që, ndonëse me shkollë nate, kanë arritur të bëhen dikush në jetë. Madje, shkolla “Kostandin Kristoforidhi” krenohet me ta, duke bërë apel se nga bankat e saj nuk kanë dalë vetëm persona që nuk bënë derman në shkollat e ditës, por figura nga të cilat mund të marrim shembull. “Është krijuar ideja se shkolla e natës është strehë për ata që nuk mund të kalojnë në shkollat që bëhen me kohë të plotë, pra çdo ditë, por në fakt nuk është kështu, pasi historiku i kësaj shkolle tregon se këtu janë ulur disa figura të njohura”,- pohon drejtori i shkollës Munir Sina. Kështu, në faqet e historikut të kësaj shkolle thuhet se nga dyert e saj kanë dalë qytetarë dhe punonjës që i kanë dhënë vendit dhe shoqërisë shqiptare kontribut në fushën e ekonomisë, artit, shkencës dhe sporteve. Në bankat e saj është ulur, p.sh. Flamur Zela, që sot është profesor në fushën e Fizikës Bërthamore. Të njohurit e tij pohojnë se Zela kishte një vullnet të madh për arsimim dhe nga marangoz arriti të shkëlqejë në një fushë të vështirë të shkencës dhe pikërisht atë të fizikës bërthamore. Më pas përmendet Ymer Minxhozi, shkrimtar dhe publicist, e vazhdoi arsimin për herë të parë në moshën 14-vjeçare. Ndërsa në fushën e artit përmendet edhe Elvira Diamanti, aktore e njohur për rolet e saj në disa filma dhe sidomos për rolin e saj kryesor tek filmi “Përrallë nga e kaluara”. Lista e nxënësve që ka studiuar në këtë shkollë vazhdon me gazetaren dhe prezantuesen Fjodora Fjora. Gjithashtu edhe sportistë të njohur, si futbollisti Igli Tare, ish-futbollist i Kombëtares dhe lojtar në serinë A të Kampionatit Italian me ekipin “Lacio”. Edhe Romela Bega, peshngritësja e cila fitoi më shumë medalje se të gjithë sportistët e tjerë në Lojërat Olimpike të Pekinit, ka qenë nxënëse e shkollës “Kostandin Kristoforidhi”.

Drejtori Sina: “Në këtë shkollë studiojnë edhe 40-vjeçarë”

Shkolla e mesme “Kostandin Kristoforidhi” është strehë edukimi për shumë kategori personash. Madje në bankat e saj ulen duke filluar nga 16-vjeçarët deri tek 40-vjeçarët, të cilët duan të kenë të paktën arsimin e mesëm. Drejtori i kësaj shkolle na thotë se sot “kjo shkollë i vjen në ndihmë më shumë kontingjentit në nevojë të Tiranës, siç janë ata që jetojnë në gjendje të vështirë ekonomike dhe duan që, krahas arsimimit, të punojnë, si dhe disa personave me aftësi të kufizuara si të verbër dhe invalidë”. Ai gjithashtu shpjegon se 38 për qind e nxënësve të shkollës kanë vërtet kërkesa ndaj vetes dhe janë të interesuar për të mësuar. Fakt ky që vërtetohet po të përmendim maturantë që kanë mbaruar shkollën e mesme këtë vit në këtë shkollë kanë fituar studimet e larta, madje edhe për juridik. Sipas tij, 15 për qind e këtij kontingjenti përbëhet nga nxënës që nuk mund ti përballojnë shkollat e ditës dhe për arsye formimi dhe ekonomike zgjedhin këtë shkollë. Pjesa tjetër e kontingjentit përbëhet nga nxënësit që ngelin. Përqindja e kësaj kategorie nuk është e përcaktuar, sepse varion sipas viteve shkollore dhe luhatet nga 25 për qind deri në 40 për qind. Sa i takon sistemit të korrespondencës, ai pohon se mësimi me këtë sistem, duke u bazuar në numrin e nxënësve të regjistruar, duket se është edhe më i preferuar se ai triditor. Ky sistem ka rreth 1500 nxënës, të cilët sipas drejtorit të kësaj shkolle, kanë mbetur në vite pa shkollë të mesme dhe tani u është krijuar mundësia që të formohen edhe me arsimin e mesëm. Por një kontigjent të rëndësishëm në këtë sistem zënë personat me aftësi të kufizuar, sidomos të verbrit dhe të paralizuarit, të cilët në pamundësi për të gjetur një mënyrë tjetër mësimi kanë preferuar të ndjekin mësimet në këtë shkollë.

Historiku
Ja si u hap për herë të parë shkolla e natës

Shkolla e mesme me kohë të shkurtuar “Konstandin Kristoforidhi” është një ndër shkollat e mbrëmjes më të vjetra në rrethin e Tiranës, e cila e ka nisur funksionimin e saj që në vitin 1945. Qëllimi i hapjes së kësaj shkolle nate ishte që aty të vijonin mësimet ish-nxënësit e shkollës “Qemal Stafa”, të cilët për shkak të Luftës Nacionalçlirimtare i kishin ndërprerë mësimet. Ndërkohë që ishin të punësuar në sektorë të ndryshëm, ata vazhdonin edhe shkollën. Mësimet në këtë shkollë zhvillohen me programe të veçanta. Me kalimin e viteve, numri i nxënësve erdhi në rritje dhe kjo shkollë nate nisi të përfshijë një kontigjent të larmishëm nxënësish. Nga të dhënat që disponohen në amzën më të vjetër të shkollës, në vitin shkollor 1955-1956 rezultojnë 252 nxënës, ndërsa një vit më vonë 1097 nxënës.
Me kalimin e viteve, krahas shtimit të numrit të nxënësve është shtuar edhe numri i mësuesve që japin mësim në këtë shkollë. Kështu, në vitin shkollor 1975-1976 stafi pedagogjik përbëhej prej 17 mësuesish dhe 3 drejtuesish, shifra këto që ruhen afërsisht edhe sot. Në vitin 1965 shkolla e mbrëmjes u transferua në godinën që është edhe sot, në ish-shkollën 7-vjeçare “Kostandin Kristoforidhi”, duke marrë formën e një institucioni që funksionon më vete. Kjo ishte një godinë dykatëshe e ndërtuar që në vitin 1936 e cila përbëhej vetëm nga pjesa e sotme ballore e shkollës që kishte vetëm 6 dhoma mësimi, 3 në secilin kat si dhe disa dhoma të vogla që shërbejnë si zyra. Në vitin 1945, me rritjen e kërkesave për arsim, godinës ekzistuese i është shtuar nga pjesa e mbrapse një godinë shtesë me 6 dhoma të tjera.

Nxënësit emigrantë në Itali vazhdojnë gjimnazin në Shqipëri

Në gjimnazin me kohët të pjesshme “Kostandin Kristoforidhi” mësojnë nxënës me probleme të ndryshme sociale. Por ashtu siç ka pohuar edhe drejtori i kësaj shkolle, nuk janë të paktë ata nxënës që janë shumë të talentuar. Sipas drejtorit të kësaj shkolle, nxënësit që mësojnë në këtë gjimnaz i kanë të gjitha të drejtat e shkollimit edhe për shkollën e lartë. “Nxënësit e kësaj shkolle nuk do të konkurrojnë në degën e juridikut, por në një degë që nuk kërkon mesatare të lartë, dhe kështu nxënësit janë të lirë të vazhdojnë shkollën e lartë”,- pohon drejtori i kësaj shkolle, Munir Sina. Megjithatë, ai ka pohuar se për sa u përket nxënësve që punojnë dhe që duan të ndjekin shkollën, ai ua plotëson vetë formularët për të mos ngelur në klasë. Dhe këtë e bën vetë për ata nxënës që kanë mundësi për të kaluar. “Plotësimi i formularëve ende nuk ka përfunduar, pasi ka nxënës që janë emigrantë në Itali apo në Greqi dhe ende nuk kanë ardhur për të plotësuar formularët. Megjithatë, për provimet e detyruara unë ua plotësoj vetë formularët atyre, në qoftë se nxënësi figuron kalues, pra është e pritur që mund të kalojë, që të mos penalizohet, unë marr dhe i plotësoj formularët”,- ka pohuar Sina.

Si funksionon shkolla juaj?

Gjimnazi njihet me emrin “Kostandin Kristoforidhi”, i cili funksionon në dy llojet e veta në sistemin trevjeçar dhe atë me korrespondencë. Sistemi trevjeçar funksionon si të gjitha llojet e veta, pra si të gjitha shkollat e tjera duke zbatuar të gjitha normativat. Dallimi nga gjimnazet me kohë të plotë është tek disa lëndë kryesore ose më saktë kurrikulën bërthamë dhe që funksionon me kohë të shkurtër nga 5 ditë në javë, ata bëjnë 3 ditë mësime që edhe këtë e bëjnë paradite ose pasdite dhe kjo për shkak të kohës që ata kanë në dispozicion dhe këtë ne e bëjmë duke u bazuar në një grafik, në mënyrë që të ketë një lloj koordinimi mes nxënësit dhe ata të mos pengohen për punën që kanë. Ata mbarimin e vitit shkollor e kanë njëlloj si të gjithë të tjerët dhe mbyllin shkollën në ditën kur e ka përcaktuar Ministria e Arsimit. Klasat e ndërmjetme e mbyllin vitin më 18 qershor, klasat e tjera më 11 qershor dhe klasat që kanë provime më 21 maj. Avantazhi i këtij sistemi, i këtij shërbimi, nga ai part-time qëndron në faktin se këtu shpjegohet mësim çdo ditë dhe janë më të angazhuar për të mësuar. Në shtator janë regjistruar 640 nxënës të sistemit treditor, nga të cilët sot vazhdojnë mësimin rreth 540 nxënës me disa paralele. Nota e provimit në shkollën tonë nuk është determinante. Ajo ka një vlerë prej 40 për qind, pasi pjesa tjetër e vlerësimit të nxënësit bazohet nga vlerësimet e mësuesit dhe përgatitja e nxënësit këtu në shkollën tonë. Kërkesat në këtë lloj sistemi janë të mëdha, por problemi qëndron, pasi siç e thamë në fillim të intervistës, nga kjo shkollë janë larguar rreth 100 nxënës, për arsye se nuk e frekuentonin dot shkollën për shkak të punës që ata bëjnë dhe kjo i ka bërë që të largohen. Ka edhe nga ata nxënës që kanë ardhur nga shkollat e tjera si “Karl Gega”, të cilët nuk janë ambientuar dot dhe janë larguar. Kontingjenti i dytë që është dhe arsyeja ekonomike që i bën nxënësit të largohen jashtë shtetit, arsye tjetër e largimit të tyre është ajo që thashë më lart, puna që ata bëjnë këtu në Shqipëri, pronarët nuk i lejojnë që të shkojnë me vonesë, kjo ka bërë që ata të mbushin numrin e mungesave dhe të largohen. Përqindja me e madhe e largimit është plotësimi i mungesave. Për këtë unë kam kërkuar në drejtorinë e arsimit që më shumë përparësi në këtë shkollë tu jepet dijeve të nxënësve dhe jo mungesave të tyre. Pra unë dua që nxënësit të vlerësohen dhe kjo të këtë përparësi në bazë të dijeve që ata kanë dhe jo të ketë përparësi numri i mungesave.

Sistemi tjetër që bëhet në shkollën tuaj?

Sistemi tjetër që nxënësit kanë mundësi të bëjnë në këtë shkollë është pikërisht sistemi që quhet korrespodenca, i cili vetëm mënyra e organizimit ka të ndryshme, pasi diploma që këta nxënës marrin, është njëlloj si nxënësit e tjerë. Ata kanë të njëjtën lëndë, të njëjtën ngarkesë, vetëm se ata kanë konsultime etj., dhe një tjetër e ndryshme që ka ky lloj sistemi është se provimet i zhvillon drejtoria arsimore dhe provimet bëhen me shkrim. Megjithatë, konsultimet e nxënësve nuk janë të detyruara, pra nuk janë me mungesa dhe provimet e detyruara është një ditë që organizohet e gjitha nga drejtoria arsimore me sekretim etj. Kjo lloj procedure e provimit po bën tre vjet. Kohët e fundit ka tendenca që të hapen edhe shkolla private si kjo jona dhe të privatizohen. Pra ajo që unë po them që, nëse merret iniciativa për të hapur shkolla të tilla si kjo, por që të jenë gjithmonë në varësi të drejtorisë arsimore, unë do të isha pro hapjes së shkollave me këtë lloj sistemi. Me ndryshimin e sistemit të shkollave nga ai 8-vjeçar u bë 9-vjeçar, mjaft nxënës mbetën me arsim të detyruar. Ministria e Arsimit nxori një urdhër të veçantë për nxënësit që kanë dëftesë lirimi dhe që duan të vazhdojnë gjimnazet, ata nxënës do të regjistrohen këtu dhe janë regjistruar këtu. Në bazë të kërkesave të nxënësve u ndanë edhe klasat. Ne të gjitha kërkesat i kishim për korrespodencë, vetëm 18 kërkesa kishim që donin të vazhdonin shkollën ditën, por që dhe këta 18 nuk plotësonin një klasë, ne ramë dakord me nxënësit dhe u regjistruan me korrespondencë që të gjitha kërkesat e bëra. Kështu, në shtator u regjistruan rreth 648 nxënës në klasën IX, nga të cilët mbas provimit që ne kemi bërë në janar, kanë kaluar vetëm vetëm 420 dhe që kanë të drejtë të vazhdojnë shkollën, ndërsa rreth 220 nxënës, megjithëse u regjistruan në fillim të vitit, nuk u paraqitën në provime për arsye të ndryshme. Kështu që nxënësit që nuk vijnë në provime nuk e marrin klasën. Për sa u përket provimeve në sistemin part- time këtu tek ne nuk ka asnjë fije dyshimi për korrupsion ose ryshfete për të marrë një notë. E them këtë, sepse nxënësit nuk e bëjnë provimin me atë mësues që kanë bërë mësim. Kur nxënësit japin provim, mësuesi është një tjetër dhe jo ai i lëndës, ndaj unë e them me bindje të plotë që nuk ka asnjë fije korrupsioni, ashtu siç kishte më parë.

A njihet shkolla juaj si gjimnaz?

Shkolla jonë njihet njëlloj si të gjitha shkollat e tjera. I vetmi dallim është se njihet si gjimnaz me kohë të shkurtuar dhe jo gjimnaz me kohë të plotë. I vetmi ndryshim që shkolla jonë ka nga gjimnazet me kohë të plotë është koeficienti i provimeve, i cili është 1 dhe jo 1.4, 1.5, siç është në gjimnazet me kohë të plotë. Pra nxënësit i nënshtrohen provimit ashtu si edhe gjimnazet e përgjithshme. Nga shkolla jonë janë 14-15 për qind e nxënësve që mbarojnë shkollën dhe vazhdojnë shkollën e lartë. Ne kemi shumë fitues që vazhdojnë shkollat e larta dhe jo vetëm ata që vazhdojnë shkollën e lartë, fitues kemi edhe nxënës në olimpiada të fizikës etj. Gjimnazet me kohë të shkurtuar jo vetëm ky këtu, por edhe në shkallë republike për provimet e Maturës Shtetërore janë në të njëjtat data. Për lëndët e detyruara, pra për matematikën dhe letërsinë vijnë programe të posaçme nga drejtoria arsimore, pra nuk janë i njëjti program me atë të gjimnazit me kohë të plotë. Ndërsa për lëndët me zgjedhje është i njëjti program. Datat e provimit kanë dalë dhe janë duke u plotësuar formularët.

Nuk është bërë plotësimi i formularëve?

Plotësimi i formularëve ende nuk ka përfunduar, pasi ka nxënës që janë emigrantë në Itali apo në Greqi dhe ende nuk kanë ardhur për të plotësuar formularët. Megjithatë, për provimet e detyruara unë ua plotësoj vetë formularët atyre, në qoftë se nxënësi figuron kalues pra është e pritur që mund të kalojë që të mos penalizohet, unë marr dhe i plotësoj formularin. Nuk mund të kuptoj që të mund të mendoj për lëndët me zgjedhje, por edhe këtu, nëse më merr dikush në telefon dhe më thotë si ta plotësoj. Pasi ne i kemi të gjitha kontaktet me nxënësit dhe ua bëjmë këtë favor.

A kanë të drejtë nxënësit që mbarojnë në këtë shkollë të vazhdojnë të lartën?

Çdo nxënës që mbaron në këtë shkollë me mesatare nga më të ndryshmet që nga minimalja, pasi mesataret e nxënësve rrotullohen nga 5-6, përjashtuar një grup 5-6 vetash që kanë një mesatare mbi 8. Pra në bashkëpunim me nxënësit unë i plotësoj formularët e tyre, dhe me këto mesatare që nxënësi ka, do të konkurrojë në atë degë ku edhe mesatarja e nxënësit të mos i bëhet pengesë. Pra nxënësit e kësaj shkolle nuk do të konkurrojnë në degën e juridikut, por në një degë që nuk kërkon mesatare të lartë, dhe kështu nxënësit janë të lirë të vazhdojnë shkollën e lartë.

“Ja si arrita të eliminoja korrupsionin në shkollë”

Shkolla e mesme ku nxënësit mësojnë natën mund të thuhet se është një ndër shkollat më problematike kohët e fundit për sa i përket korrupsionit në shkollë.
Drejtori i kësaj shkolle ka pohuar për suplementin e gazetës se për tre vite, në këtë shkollë korrupsioni ishte më i theksuar se në shkollat e tjera të mesme me kohë të plotë. “Kam evituar problemet e tjera, si për shembull, të blihet nota. Unë shkollën e gjeta në një gjendje shumë të keqe. Edhe në shkollat e tjera ka korrupsion, por në këtë shkollë ishte edhe më i theksuar. Në mbledhjen e parë që bëra, ka qenë pikërisht për mësuesit. Pasi shikoja që nxënësit kishin nota negative në një lëndë dhe nuk arrinin të merrnin dot një 5, ndërsa në të gjitha lëndët e tjera ishte kalues”,- ka pohuar drejtori i shkollës, Munir Sina. Megjithatë, ai ka folur edhe për ndryshimet që duhen bërë në shkolla që, sipas tij, është infrastruktura e shkollës dhe rritja e cilësisë së mësimdhënies. “Ne si staf pedagogjik dhe në veçanti unë si drejtor i kësaj shkolle, dua që në këtë shkollë të ndryshojë rritja e cilësisë së mësimdhënies. Ne kërkojmë që të ketë më shumë. Ne kohët e fundit kemi bërë vetë një bibliotekë për shkollën. Gjithashtu, ajo që unë do të doja të ndryshonte, do të ishte shtimi i një tjetër kati në këtë shkollë. Në fakt, një gjë të tillë e kam kërkuar, por për një shtesë nuk është miratuar asgjë. Siç e shikoni dhe ju, gjendja e shkollës nuk është e mirë dhe i gjithë ky myk që shikoni ju brenda nëpër shkollë, është për shkak të tarracës. Tashmë ka dalë fondi dhe do të rregullohet soleta, por diku nga vera, pasi në këtë kohë nuk bëhet mësim. Ndërsa në drejtim të cilësisë së mësimdhënies unë vetë do të kërkoja një trajtim të mësuesve. Megjithatë, më shqetësues për mua është fakti se nxënësit penalizohen për shkak të mungesave, dhe ne do të kishim nevojë ta orientonim nxënësin drejt cilësisë së mësimdhënies. Pra kërkoj që nxënësit të mos e shikojnë strikt faktin se ra zilja dhe do të vihet mungesa, por të shikojnë më strikt faktin se ra zilja dhe na iku shpjegimi. Unë mendoj që për vitin e ardhshëm ta mbështesim me baza ligjore që penalizues të jetë mospërvetësimi i njohurive bazë dhe jo pse nuk përballoi mungesat. Gjithashtu, dua të ndryshojë vlerësimi i mësuesit me gojë. Të gjitha këto ne duam ti bëjmë një herë vetë, më pas tia kërkojmë drejtorisë arsimore”,- pohon Sina për gazetën. Ndërsa për sa i përket stafit pedagogjik, ai thotë se stafi i mësuesve në këtë shkollë është 18 mësues dhe drejtues bashkë, që do të thotë 15 mësues, dy nëndrejtorë, drejtor dhe mësuesit. Mësuesit bëjnë 14 orë paradite dhe 14 orë mbasdite. Për herë të parë këtë vit kemi futur anglishten, pasi duhet të ketë një lëndë të tillë. Pyetëm drejtorin e kësaj shkolle se cilat ishin objektivat e tij kur u emërua si drejtor shkolle para tre viteve dhe ai tregon: “Gjatë tre viteve të mia në këtë shkollë, kam arritur të nxjerr një mesatare të mirë të shkollës. Pra do të thosha se kam rritur cilësinë e shkollës. Kam evituar problemet e tjera si për shembull të blihet nota. Unë shkollën e gjeta në një gjendje shumë të keqe. Edhe në shkollat e tjera ka korrupsion, por në këtë shkollë ishte edhe më e theksuar. Në mbledhjen e parë që bëra ka qenë pikërisht për mësuesit, pasi shikoja që nxënësit kishin nota negative në një lëndë dhe nuk arrinin të merrnin dot një 5, ndërsa në të gjitha lëndët e tjera ishin kalues.

Disa nga njerëzit e njohur të vendit që janë arsimuar në “shkollën e natës”

Flamur Zela, profesor në fushën e Fizikës Bërthamore
Ymer Minxhozi, shkrimtar dhe publicist
Elvira Diamanti, aktore
Fjodora Fjora, gazetare
Ylli Rakipi, botues, gazetar
Shkëlqim Gjata, jurist dhe punonjës në Gjykatën e Apelit
Igli Tare, futbollist
Romela Bega, peshëngritëse
Denis Nuriu, sportist etj

Mësuesi i letërsisë, Gramoz Hajdini: “Në bibliotekë ka mbi 600 tituj librash”

Biblioteka e gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”, e krijuar vetëm pak kohë më parë, është pasuruar shumë me libra, sidomos gjatë këtyre tri viteve të fundit. Biblioteka ka në fondin e vet libra në gjuhën shqipe e angleze dhe, pjesërisht, në atë italiane. Librat në gjuhën shqipe janë të inventarizuar e të ndarë sipas fushave që ata trajtojnë, si letërsi shqipe e të huaj, ekonomi, juridik, psikologji, fjalorë dygjuhësh etj. Ndërsa numri i titujve të këtyre librave afron në rreth 600. Aktualisht, për sa i përket fondit të kësaj literature, është më i pasuri i homologëve të saj në vend. Aty mund të gjenden libra të letërsisë klasike, madje edhe autorët e shekullit të 20-të, ndonëse të një zhanri më të lehtë. Ka, po kështu, udhëpërshkrime, vëllime memorialistike, revista gjeografie, metodika të mësimit të gjuhës së folur e të shkruar angleze etj. Nga të dhënat e deritashme, del se librat e bibliotekës plotësojnë në një masë të konsiderueshme nevojat e studentëve e të pedagogëve, kryesisht në fushën e shkencave juridike, ekonomike, filozofike, psikologjike dhe infermieristike. Në bibliotekë janë instaluar edhe kompjuterë, për të cilët interesi i studentëve është mjaft i madh. Numri i lexuesve po rritet dita-ditës; tashmë mund të flasim për një kontingjent të qëndrueshëm lexuesish shumë të interesuar për librin profesional e atë të kulturës së përgjithshme. Sipas mësuesit të letërsisë, i cili është edhe përgjegjësi i bibliotekës, nxënësit kanë filluar të tregojnë më shumë interes. “Kemi 70-80 nxënës, të cilët janë anëtarë të bibliotekës, dhe nga kjo unë do të thosha që nxënësit kanë filluar të tregojnë një interes për librin. Madje, doja të theksoja se të rinjtë kanë mjaft interes për të. Ajo që dua të theksoj është fakti se vetëm pak kohë më parë Drejtoria Arsimore na ka dhënë një fond prej 2 milionë lekësh për librat, të cilat janë nga shkrimtarë të njohur shqiptarë, por edhe të huaj”,- ka pohuar mësuesi Gramoz Hajdini, duke shtuar se një fond për bibliotekën e shkollës janë bërë edhe vetë nxënësit, të cilët çdo fund viti dhurojnë nga një libër secili.

Nxënësja Anduela Dedja: “Bëj shkollë nate për arsye familjare”

“Jam në vitin e 4-t dhe kam zgjedhur të vazhdoj këtë shkollë për arsye familjare dhe sociale. E megjithëse jam në këtë shkollë, unë e pëlqej shumë shkollën dhe mund të them se në një muaj lexoj 6 libra të ndryshëm. Libri më i fundit është ai i Daniell Still, pasi ai është edhe autorja ime e preferuar. E pëlqej, sepse ka një formë ndryshe nga autorët e tjerë. Still, në librat e saj fillimisht tregon fundin më pas ngjarjen e librit. Më duket se pasioni për të lexuar është nga mamaja ime, pasi kjo ka lexuar shumë më parë, pasi punonte në një librari”,- ka pohuar nxënësja e vitit të 4-t me sistem dite, Anduela Dedja, për suplementin e gazetës.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›