Bello: Edi Rama dështoi me koalicionin e rrudhur, duhet analizë e thellë

Humbja e zgjedhjeve erdhi si pasojë e një koalicioni të cunguar që nuk ngjasonte me pluralitetin e koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike. Kështu u shpreh dje anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Marko Bello, duke kërkuar një analizë të thellë pas humbjes së zgjedhjeve dhe ngarkimin e përgjegjësive tek individë të caktuar, ku në radhë të parë është kryetari në largim, Edi Rama, për dështimin e filozofisë së tij elektorale dhe ngritjen e kauzave të gabuara. “Një nga arsyet kryesore që Partia Socialiste humbi në zgjedhjet e 28 qershorit, ishte koalicioni i saj i rrudhur në krahasim me koalicionin më të gjerë të Partisë Demokratike”, tha Malaj. Ai renditi si faktor dështues në zgjedhje edhe mosmarrëveshjet politike me LSI. “Mosmarrëveshjet me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e kanë lënë edhe njëherë tjetër PS-në në opozitë. Dhe përsëri PS është përgjegjëse për këto marrëzira që e çuan drejt humbjes”, u shpreh Bello.
Për sa i takon pjesëmarrjes së Partisë Socialiste në Kuvendin e ardhshëm, Marko Bello theksoi se bojkoti nuk është i duhuri për PS, pasi është momenti që kjo forcë politike të orientohet dhe të njohë institucionet. “Jam i kënaqur që shumica e anëtarëve të PS-së kanë reflektuar dhe kanë harruar fjalën bojkot, pasi është momenti që PS të orientohet dhe të njohë institucionet”, duke shtuar se “edhe pse një lloj reflektimi është ndjerë edhe tek Kryetari i PS-së, por tashmë Rama duhet të dorëhiqet, çka ia detyron edhe statuti i partisë. Pas një analize të thellë për humbjen e këtyre zgjedhjeve na duhet që të ofrojmë bazën me kryesinë e partisë dhe të gjejmë një mënyrë tjetër për ta sjellë PS-në në pushtet”, tha më tej Bello. Sipas tij, “e rëndësishme është të miratohet pjesëmarrja e grupit parlamentar socialist në Kuvend, për të qenë një opozitë konstruktive dhe më pas ne kemi kapacitete për t’u riorganizuar dhe të jemi të suksesshëm për të ardhur në pushtet”.
...