Blushi: Rama, jo vetëm të largohet, por as të mos rikandidojë

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste Ben Blushi, deklaroi dje pas punimeve të asamblesë Kombëtare, se Edi Rama nuk duhet të rikandidojë për kreun e ri të PS-së. Qëndrimi i rreptë i Blushit, erdhi pas votimit në asamble të rezolutës së Ramës dhe heqjen e mandatit të kryetarit të PSSH, që kjo asamble e bëri në respekt me statutin.
“Për shkak të statutit i është ndërprerë mandati që është konfirmuar edhe në Asamble. Rikandidimi nuk sugjerohet. Partia Socialiste ka ndërprerë një projekt që nuk u realizua dhe kështu që largimi i tij është një kthesë e madhe për PS-në.
Rama të flasë politikisht për të shpjeguar pse nuk arritëm një rezultat pozitiv në këto zgjedhje, për politikën e tij të re përtej së majtës dhe të djathtës. Në fakt ne jemi një parti historikisht e majtë dhe duhet të pozicionohemi përherë kështu, në këtë moment dështoi edhe filozofia e Ramës dhe për rrjedhojë kemi dhe tani këtë rezultat që kemi”, u shpreh Blushi.
Në lidhje me mospraninë e mediave gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Blushi deklaroi se “ky ishte një ogur i keq për opozitën, pasi filloi me një black out me mungesë informimi për publikun, çka edhe ka qenë rast i paprecedent në Partinë Socialiste”. “PS duhet të marrë frymë ndryshe dhe të shpjegojë edhe publikisht për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit për të gjithë votuesit shqiptarë që i besuan alternativës sonë”, tha Blushi.
...