E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet ligji në Kuvend, si do ekuivalentohen diplomat



Erald Kapri

Komisioni i Edukimit dhe Medias në Kuvend miratoi dje projektligjin për disa ndryshime në ligjin për Arsimin e Lartë, duke bërë edhe ekuivalentimin e diplomave të reja. Ky ligj do të miratohet ditën e enjte në Kuvend dhe përcakton se asnjë cikël studimit nuk do të humbasë, por kreditet do të ruhen. Kështu, çdo kush që ka bërë master të nivelit të dytë, do t’i njihet si master shkencash, por nëse ai ka kredite shtesë, do t’i transferohen në doktoraturë, nëse vijon më tej studimet. Nga ana tjetër, e njëjta gjë është edhe me ata që kanë bërë një shkollë 4-vjeçare universitare dhe ka marrë një diplomë dhe nëse ka bërë një SHPU (Shkolla Pasunivesitare e Studimeve të Thelluara), u njihet si master dhe kredidet e tyre kalojnë në doktoraturë. Pra të gjithë që kanë bërë studime më shumë se 3 vite, aktualisht dhe ata të kohës më të hershme, më shumë se 4 vite, do të kenë një master në xhep. Diferenca vjen vetëm për ata që do të studiojnë në doktoraturë dhe nëse kanë bërë një master të nivelit të dytë, do të kenë më shumë kredite në doktoraturë. U vendos që edhe studentët e magjistraturës të kenë të drejtë t’u njihet si doktoraturë. “Unë propozoj që masterit të nivelit të dytë, t’i japim të drejtë t’i njihet si diplomë universitare për specializime apo kualifikime pas masterit. Me këtë rast bëjmë diferencën dhe me ata që kanë bërë 4-vjeçarin”, propozoi në komision deputeti i PD-së, Mark Marku, propozim i cili u pranua nga Komisioni. Më tej u shtuan në ligj, që diplomat e studimeve universitare që kanë zgjatur së paku katër vite akademike, deri në 8 semestra, deri në përshtatjen e studimeve sipas sistemit të Bolonjës, të ekuivalentuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, me diplomat e integruara të nivelit të dytë, janë ekuivalente me diplomën universitare Master i Shkencës. Sipas deputetit të PD-së Gjergji Papa, në këtë formë zgjidhet problemi i diplomave të veçuara. Njëkohësisht diplomat “master i nivelit të parë”, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën “master profesional”. Një tjetër pikë që u ndryshua është edhe pikët për doktoraturë. “Kanë të drejtë të aplikojnë për tu regjistruar në ciklin e tretë të studimeve kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “master i Shkencave” ose një diplomë ekuivalente me të dhe që kanë grumbulluar në studimet universitare të ciklit të parë dhe të dytë si dhe të plotësojnë kriteret e pranimit të përcaktuara nga institucioni përkatës”, u vendos në ligj, duke hequr pjesën e kërkesës për 300 kredite. Njëkohësisht, zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj garantoi se kreditet njihen edhe jashtë vendit për çdo student shqiptar. Ligji do të miratohet këtë të enjte në Kuvend.

Debati në Komisionin e medias

Nora Malaj: Cikli 4-vjeçar lihet master shkencash. Ndërkohë SHPU-ja (Shkolla Pasunivesitare e Studimeve të Thelluara) është ekuivalente me masterin e ciklit të dytë. Për efekt të cikleve të reja të studimeve, SHPU dhe masteri i nivelit të dytë, kreditet e tyre kalojnë në doktoraturë. Ata që s’janë në doktoraturë, do ta kenë master shkencor. Ata që s’duan të vazhdojnë doktoraturë, mund të bëhen edhe ministra po të duan. Edhe studentët që kanë shkuar janë me këto kredite kanë qenë të vlerësuara. Edhe studentëve të Magjistraturës u njihet automatikisht e drejta e doktoraturës.
Agim Leka: Ai që nuk shkon për doktoraturë ngelet tek masteri i shkencave.
Ledi Shamku: Nëse dikush kërkon të bëjë doktoraturën jashtë shtetit, i ka të transferueshme këto kredite?
Nora Malaj: Absolutisht që po.
Mark Marku: Unë propozoj që masterit të nivelit të dytë, t’i japim të drejtë t’i njihet si diplomë universitare për specializime apo kualifikime pas masterit. Me këtë rast bëjmë diferencën dhe me ata që kanë bërë 4-vjeçarin.
Gjergji Papa: Unë propozoj që diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur së paku katër vite akademike, deri në 8 semestra, deri në përshtatjen e studimeve sipas sistemit të Bolonjës, të ekuivalentuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, me diplomat e integruara të nivelit të dytë, janë ekuivalente me diplomën universitare Master i Shkencës. Kështu zgjidhin problemin e diplomave të veçuara. Njëkohësisht diplomat “master i nivelit të parë”, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën “master profesional”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›