E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vendi shkon drejt falimentimit



Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste dha dje alarmin se ekonomia e vendit po shkon drejt falimentimit. Rama tha dje gjatë një konference për shtyp nga selia rozë, se kriza ekonomike, e paralajmëruar kohë më parë nga opozita është “reale” dhe rishikimi i buxhetit është provë e kësaj krize. Duke bërë një analizë të projektligjit për rishikimin e buxhetit 2010, nga selia rozë, Edi Rama paralajmëron për “një falimentim ekonomik të garantuar”, ku nuk jemi në një shtet ligjor, por mafioz”. Reagimi vjen një ditë pas miratimit në Parlament, vetëm me votat e maxhorancës të projektligjit për ndryshimet në buxhetin e shtetit, i cili parashikon shkurtimin e fondit të shpenzimeve, me 39 miliardë lekë. Opozita mori pjesë në seancën e debatit, e cila zgjati më shumë se 10 orë, por në momentin e votimit u largua nga salla. “Opozita ka treguar qartë situatën ekonomike që nga 2009. Ju kemi paralajmëruar me kurajo dhe kthjelltësi pasojat që kanë filluar të ndihen në familje dhe biznese”, - u shpreh Rama. Nga selia rozë, kryetari i PS-së tha se “kjo gjendje e rëndë ka një shkak madhor, që është korrupsioni i oborrit të shtetit, i cili ka kapur tërë shtetin”. Rama përsëriti akuzat për mungesë transparence, manipulim dhe fshehje të shifrave të sakta në kutinë e ekonomisë, duke vendosur paralelizma me fshehjen e votave në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Realiteti i kutisë së mbyllur është po ai realitet i mbyllur i 28 qershorit dhe po ai i kutisë së mbyllur që u hap në Ruzhdie. Dhe kur ky realitet do të dalë, Shqipëria do të tronditet njësoj, si nga manipulimi i neveritshëm i Ruzhdijes dhe nga Ruzhdije të tjera”, - u shpreh Rama. Kryesocialisti akuzoi sërish trinomin Qeveri-Banka e Shqipërisë-INSTAT për manipulimin e shifrave dhe paralajmëroi se brenda këtij viti qeveria do të ndërmarrë një tjetër shkurtim dramatik të shpenzimeve, sepse “qeveria nuk i doli përballë krizës në kohën e duhur dhe kriza po tërheq qeverinë. Kriza është shumë më e rëndë sesa na e tregojnë shifrat”. Kryetari i PS-së tha se në rishikimin e buxhetit janë shkurtuar 80 milionë dollarë investime në punët publike, të cilat do të jenë fatura të papaguara për sipërmarrësit, që kanë kryer punë për qeverinë dhe kredi të pashlyera për bankat tregtare të huaja apo ato vendase. Rama akuzoi kryeministrin dhe për mashtrim me kredinë 3. 2 milionë euroshe, që qeveria deklaroi pak ditë më parë. “Na erdhi të gjithëve zor dje, kur e pamë ministrin e Financave në atë gjendje, që është katandisur deri në leximin e një liste kredish “gjoja” të mbyllura apo të ëndërruara, por që në fakt janë thjesht justifikime për përrallën 3.2 miliardëshe të Saliut. Edhe një fëmijë e kupton se nuk ka pse shkurton investimet, e pse lë njerëzit e kompanitë me borxhe e me lista, një qeveri që paskërka kontraktuar 3.2 miliardë euro”, - u shpreh Rama.

Shifrat e Ramës për buxhetin

Shkurtimet e investimeve shkojnë në 25% të buxhetit të programuar, të miratuar nga maxhoranca 80 milionë dollarë u shkurtuan nga investimet në punë publike. 3.2 miliard euro investime nuk ekzistojnë tjetërkund, përveçse në listën e gënjeshtrave e të mashtrimeve publike të kësaj qeverie, e posaçërisht të këtij kryeministri Defiçiti 6 mujor, gjithmonë në bazë të shifrave që kanë pak besueshmëri, është 160 milionë dollarë. Borxhi publik arrin jo në 59.7% të PBB- së, por në 100% të tij

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›