E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Rama po shtrembëron realitetin, 11 përgjigjet për thirrjet destabilizuese



Pas akuzave dhe deklaratave alarmuese të kreut të opozitës, Edi Rama, se shteti shqiptar po shkon drejt falimentimit, ka reaguar Ministri i Financave. Bode ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Ramës dhe me shifrat e dhëna prej tij ka argumentuar 11 herë, pse kreu i opozitës ka mashtruar në deklaratat e tij të djeshme. Sipas Bodes, e gjithë ligjërata e djeshme e Ramës, ishte një përsëritje e akuzave të deputetëve të PS në Kuvend, "që konsistojnë në shtrembërime, në dyshime dhe në sharje e thirrje tërësisht destabilizuese, të pashpresa për opozitën". Sipas Bodes, shkurtimet në buxhet nuk janë 25% sa pretendon Rama, por vetëm 9.5% e programit fillestar. Bode ka nënvizuar se opozita ka qenë partizane e shkurtimeve dhe ndërkohë sot po i kritikon ato. Duke u ndalur te transparenca, ministria ka treguar se të gjitha të dhënat e ekonomisë janë në faqet zyrtaret të Ministrisë së Financave, Bankës dhe INSTAT. Akuzës për krizë ekonomike, Bode i është përgjigjur me raportet e FMN dhe Komisionit Europian, ku Shqipëria vlerësohet se qëndroi jashtë vorbullës së krizës. Më e detajuar ka qenë përgjigjja për nivelin e të ardhurave, ku ministri i ka krahasuar ato me vitin më të mirë të PS. "Në këtë 6-mujor, nga 56 miliardë lekë të arkëtuara në vitin 2004, janë arkëtuar (flas për tatimet dhe doganat) 104 miliardë lekë". Përgjigjes për rritjen e pagave, ministri i shtoi shifrën prej 120 dollarësh në vit, që do të shpenzojë buxheti për administratën dhe pensionet. "Rama akuzon se pensionet nuk u rritën në madhësi të mjaftueshme. I kujtoj Ramës se, në 6-mujorin më të mirë të qeverisjes socialiste, viti 2004 niveli i pensioneve të shpërndara, vëllimi total i pensioneve të shpërndara qytetarëve, ka qenë vetëm 23 miliardë lekë, kurse në 6-mujorin e parë të vitit në vijim janë akorduar 49 miliardë lekë pensione të shpërndara në xhepat e qytetarëve". Me shifra, Bode i është përgjigjur edhe akuzave për uljen e ndihmës ekonomike. Sipas tij, në vitin 2004 janë shpërndarë 4.3 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, ndërsa këtë vit 8.4 miliardë lekë. Rama akuzoi se për të përndjekurit nuk janë dhënë para, ndërsa Bode u përgjigj dje se vetëm për 6 muaj "janë dhënë dëmshpërblim ne masën 2 miliardë lekë." Duke u ndalur te shkurtimi i investimeve, Bode ka pranuar se buxheti do të shpenzojë më pak për investime. Sipas ministrit, sërish janë dhënë tre herë më shumë para se në vitin më të mirë të qeverisur nga PS, ai 2004. Ndërsa lidhur me borxhin publik, Bode ka nënvizuar se Qeveria ka mundësinë për të paguar të gjitha shpenzimet e tjera që lidhen me shërbimin e buxhetit, ku sigurisht pagesa e borxheve është prioritare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›