Miratohet lista për shtëpitë me kredi të buta
Këshilli Bashkiak i Fierit ka kaluar mes debatesh të shumta listën e 212 familjeve që do të përfitojnë nga programi për strehimin. Nga informacionet e marra nga zyra juridike e këtij institucioni, mësohet se ka pasur mbi 300 kërkesa, por që në fazën e parë janë miratuar vetëm 212. Pikërisht kufizimi i kësaj liste ka ngjallur dhe debate në sallën e këshillit, ku sipas këshilltarëve të djathtë u hodhën dyshimet për një selektim jo të mirë të të pastrehëve. "Unë nuk e di nëse këta e kanë përfituar të gjithë statusin e të pastrehëve, pasi unë di që në Fier numërohen mbi 600 të pastrehë, kur këtu janë vetëm 212 për miratim. Mbi ç‘baza janë përzgjedhur këta persona?", tha kreu i këshilltarëve të djathtë, Ferdinand Murati, që është njëkohësisht dhe kryetari i PD-së së Fierit. Ndërkohë, nga ana e drejtuesve të zyrës juridike të Bashkisë Fier u sqarua se përzgjedhja është bërë mbi kriteret që ka ofruar banka BKT, me të cilën është firmosur një marrëveshje për një kredi të butë. "Në këtë fazë duhet që personat e përzgjedhur, për t‘u miratuar nga banka, të kenë të ardhura në kuotën minimale, si garanci për të paguar këstin e kredisë. Në bazë të këtyre është bërë dhe përzgjedhja e përfituesve. Për sa u përket të pastrehëve të kategorisë së parë, që janë invalidët, jetimët etj., ata do të përfitojnë banesë nga bashkia dhe jo kredi", sqaroi juristja. Realisht komisioni për hartimin dhe miratimin e kësaj liste është mbledhur brenda muajit mbi 5 herë, duke bërë një analizë të detajuar të çdo familjeje në bazë të dokumentacioneve të paraqitura prej tyre. Tashmë mbetet vetëm firmosja nga ana e prefektit dhe nisja e procedurave me bankën. Banka mendohet të japë kredi me interes 8 për qind në vit, nga të cilat 5 për qind do të paguhen nga shteti, ndërsa 3 për qind nga individi.
Ma.Tr.
Ma.Tr.