Miratohet marrëveshja me BERZH për rrugët rurale e lokale
Qeveria vendosi të miratonte dje propozimin e projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale. Pak ditë më parë kjo marrëveshje u nënshkrua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe përfaqësuesi i BERZH. Bëhet fjalë për një fond prej 50 milionë eurosh. Investimi në fjalë është pjesë e një programi më të gjerë kombëtar për rehabilitimin e 1.500 km rrjeti rrugor rajonal dhe lokal, i financuar paralelisht nga Banka Botërore, Fondi i OPEC, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës dhe financues të tjerë të mundshëm. Fokusimi i kësaj huaje në zonat rurale ka të bëjë me faktin se më shumë se gjysma e popullsisë në Shqipëri është e përqendruar në këto zona. Gjendja e keqe e rrugëve rurale në vend po vështirëson zhvillimin e sektorit privat në qytetet e vogla dhe fshatra, duke kufizuar konkurrencën e kompanive bujqësore.