E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet marrëveshja me KfW-në për dy projekte energjitike

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, është miratuar marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin financiar për projektet Linja unazore 110 kv në Shqipërinë e Jugut (përmirësimi i efiçencës në fushën e energjisë) dhe Linja 400 kv Shqipëri-Kosovë (Tiranë-Prishtinë). Projektet energjitike do të financohen nga banka gjermane KfW. Bëhet fjalë për financimin e 91 milionë eurove nga qeveria gjermane, nëpërmjet KfW-së për dy projektet, atë të linjës e të transmetimit të energjisë Tiranë-Prishtinë dhe linja e Unazës së Jugut. Këto dy projekte madhore do të përmirësojnë furnizimin me energji elektrike në vend, por edhe linjën e transmetimit të energjisë në shkëmbim me Kosovën. Projekti i linjës me Kosovën prej 42 milionë eurosh mundëson një linjë të re 400 kv teknikisht të fuqishme, për të bërë shkëmbimin e energjisë, si dhe duke shumëfishuar kapacitetet eksportuese dhe importuese të vendit tonë në periudhat e nevojshme. Projekti prej 49 milionë eurosh për linjën unazore në jug të vendit do të përfshijë ndërtimin dhe fuqizimin e disa nënstacioneve që do të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me energji të banorëve të asaj zone. Dy projektet janë me rëndësi, pasi do të përmirësojnë ndjeshëm rrjetin elektrik të shpërndarjes, i cili deri më tash ka lënë për të dëshiruar. Në bazë të marrëveshjes, projekti "Linja unazore 110 kv në Jug të Shqipërisë" synon përmirësimin e efikasitetit të energjisë dhe plotësimin e mungesave në rrjetin ekzistues 110 kv në Jug të Shqipërisë. Ndërkohë, projekti "Linja e transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë (Tiranë-Prishtinë)" synon ndërtimin e një linje transmetimi 400 kv që do të lidhë Tiranën (Shqipëri) me Prishtinën (Kosovë). Gjatësia e përgjithshme e linjës arrin 240 km. Krahas kësaj do të financohen me masat e nevojshme zgjeruese veçanërisht në nënstacionin e Kasharit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›