Qeveria, 300 milionë euro rezervë për krizën
Përveç buxhetit të matur, për vitin e ardhshëm qeveria ka vendosur të mbajë si fond rezervë për të përballuar të papriturat që mund të sjellë kriza financiare, 300 milionë dollarë. Një fakt i tillë është konfirmuar dje edhe nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për papërgjegjësi në marrjen e masave në kuadër të krizës ekonomike, ka theksuar se kjo nuk është e vërtetë, pasi në të vërtetë po ndiqen politika të kujdesshme për të përballuar çdo të papritur që mund të vijë si pasojë e krizës që ka përfshirë si vendet fqinje, ashtu edhe Europën. “Ne kemi lënë rezervë të paktën 300 milionë dollarë. Pra, ne vijmë këtu me një sens të lartë përgjegjësie. Sepse në të kundërt, ato 300 milionë do i kishim vendosur dhe do vinin këtu dhe do vendoseshin në 3 apo 5 projekte”, - tha kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur ky fond nuk do të përdoret, veçse me vendim të Kuvendit. “Ato do të përdoren në përputhje me situatën. Do vendosë parlamenti për përdorimin e tyre”, - tha Berisha.