E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet mënyra e llogaritjes së pensioneve

Pensionet do të llogariten përmes koeficienteve të rinj. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve. Ato fillojnë nga viti 1994 e deri më 2007-ën. Ndërkohë që është ngarkuar Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të kryer të gjitha llogaritjet me formulën bazë për të nxjerrë më pas edhe shumën e pagesës mujore për secilin pensionist. Këto koeficiente dhe mënyra e re e llogaritjes së pensioneve do të hyjnë në fuqi që prej 1 janarit të vitit 2008. Në vendimin e djeshëm të qeverisë thuhet se "efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, janë vetëm për pensionet, që caktohen me datë fillimi nga 01.01.2008 dhe përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore". Ky vendim i sapomiratuar ka shfuqizuar atë të mëparshmin, që mban datën 11 nëntor 2007, dhe vulën e Këshillit të Ministrave, me emërtesën: "Për përcaktimin e koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve". Për zbatimin e këtij vendimi, Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Ai hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Këto koeficiente vendosën një formulë paraprake të miratuar nga ISSH, që përdoret për llogaritjen e masës së pensionit që përfiton çdo i punësuar pas mbushjes së viteve të punës ose moshës së daljes në pension. Një herë në vit qeveria miraton me një vendim të posaçëm këto koeficiente të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve. Vetëm pak kohë më parë përfaqësues të Partisë Socialiste akuzuan publikisht Ministrinë e Financave dhe qeverinë se po vononin procesin e nxjerrjes së këtij indeksimi për pensionet.

TAB
Koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve sipas viteve, janë si më poshtë vijon:
Për vitin 2007 1.00
Për vitin 2006 1.04
Për vitin 2005 1.02
Për vitin 2004 1.12
Për vitin 2003 1.10
Për vitin 2002 1.09
Për vitin 2001 1.14
Për vitin 2000 1.07
Për vitin 1999 1.09
Për vitin 1998 1.05
Për vitin 1997 1.22
Për vitin 1996 1.09
Për vitin 1995 1.37
Për vitin 1994 1.32


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›