E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politekniku, studentë dhe pedagogë në protestë

Në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës u zhvillua dje një grevë njëditore e iniciuar nga Këshilli i Fakultetit të Formimit të Përgjithshëm të këtij universiteti. Protestës së pedagogëve iu bashkëngjitën të gjithë studentët e këtij fakulteti. Protestuesit kanë kërkuar ndryshimin e statusit të fakultetit, pra heqjen e emërtimit "Fakultet i asociuar". Po kështu ata kërkuan edhe ndryshimin e emrit të fakultetit.
Këto kërkesa, sipas stafit akademik dhe studentëve, bazohen në faktin që senati i këtij universiteti, me vendimin Nr. 6, të marsit 2006, ka miratuar një projekt "Për hapjen e Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Fizike", në zbatim të udhëzimeve të MASH, që preknin disa departamente të atashuara pranë Rektoratit të UPT-së. "Ky projekt u hartua pas një pune gati dyvjeçare nga një grup pune i zgjedhur prej senatit të UPT-së, përbërë nga 11 përfaqësues prej të gjitha fakulteteve të Politeknikut me titull Profesor dhe Kancelari i Universitetit", shprehen protestuesit. Ata shtojnë se "këtë projekt MASH-i e deformoi në ‘Fakulteti i Formimit Të Përgjithshëm‘, me status Fakultet i Asociuar, pa asnjë vërejtje paraprake". Ndërsa komentojnë se "deformimi është aq i madh, sa departamentet e këtij fakulteti, për sa kohë ishin më vete, kishin të drejtë të jepnin diploma universitare, master e doktoratë, kurse tani që janë të grupuara në një fakultet, nuk kanë të drejtë të japin asnjë diplomë. Drejtuesit e protestës sqarojnë më tej se nuk mund të ngrihet as Këshilli i Profesorëve të këtij fakulteti, i cili bën të mundur kualifikimin e stafit të ri të pedagogëve. Ky grup ka në përbërje 34 pedagogë me gradën doktor, 11 profesorë të asociuar, si dhe 12 profesorë. Programet e diplomave që lëshonin departamentet përkatëse janë të njëjta me programet e Universitetit Politeknik të Milanos.
Me dosjen e fakultetit mësohet se është njohur dhe Kabineti i Kryeministrit, Sali Berisha, dhe ky i fundit personalisht në takimet me drejtues të UPT-së dhe FFP-së ka vlerësuar pozitivisht kërkesat e fakultetit. Kabineti i Kryeministrit, me një shkresë dërguar Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, ka porositur shqyrtimin e problemit dhe ndërmarrjen e iniciativave për të bërë ndryshimet e nevojshme. Protestuesit shprehen për median se Këshilli i Fakultetit të Formimit të Përgjithshëm i mbledhur më 9 dhjetor, mbasi ishin ezauruar të gjitha rrugët ligjore dhe përpjekjet për bisedime me MASH, vendosi: Bojkotimin e mësimit në të gjithë UPT-në më datë 11.12.2008, nga ora 08:00 deri në orën 10:00; përshkallëzimin e bojkotimit njëditor të mësimit më datë 17.12.2008 në të gjitha degët e UPT-së ku bëjnë mësim pedagogët e FFP-së (Matematikë, Fizikë, Kimi); bojkotimin e mësimit në janar në të gjitha degët e UPT-së deri në zgjidhjen e problemit.
Pedagogët dhe studentët e këtij fakulteti janë në pritje për një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi nga ana e MASH-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›