Miratohet ndërtimi i 2 resorteve në Kavajë

Bordi i Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), ka miratuar ndjekjen e procedurave për realizimin e dy projekteve për zhvillimin e resorteve turistike në bregdetin e rrethit të Kavajës dhe konkretisht, në Gose dhe në Synej.
Projekti i parë parashikon ngritjen në një sipërfaqe prej 650 hektarë të një qyteze me qëllime multifunksionale dhe projekti i dytë propozon ndërtimin e një porti jahtesh dhe krahas tij, të një qyteze turistike në këtë zonë, me një sipërfaqe prej 160 hektarë.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së AIDA-s, kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm respektimin e standardeve në ndërtim dhe ruajtjen e zhvillimin e mjedisit në zonat turistike.
“Ne kemi rreth 90 përqind të bregut të pazhvilluar. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi asnjëherë lakmitarë për shfrytëzim intensiv. Ne duhet t`u mbetemi standardeve më të mira të shfrytëzimit, të ruajtjes së mjedisit, të hapësirave dhe të lartësive të ndërtimeve”, u shpreh ai.
Këto dy projekte janë edhe projektet e para ku AIDA do të punojë në funksion të misionit të saj për të qenë pika qendrore e kontaktit dhe shërbimeve ndaj investitorëve vendas dhe të huaj.