E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet nen për nen në komisionin e Ekonomisë, projektbuxheti i vitit 2012

04-12-2011 / Gazeta 55

Të hënën në seancë plenare – buxheti i ri me vlerë afro 8 miliardë dollarë, garanci për avancimin e projekteve infrastrukturore

Vetëm me votat e mazhorancës, komisioni parlamentar i ekonomisë dhe financave ka miratuar projektbuxhetin e shtetit për vitin 2012. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e djeshme, deputetët kanë miratuar këtë draft vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në votimin. Nga ana e saj opozita parlamentare ka parashtruar kushtet e saj, për të miratuar këtë buxhet, brenda të cilave përfshihet edhe heqja e TVSH-së për ushqimet apo vendosjen e taksës së lartë për të pasurit.
Por, mazhoranca i ka rrëzuar kushtet e deputetëve të majtë. Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhje janë bërë disa ndryshime të vogla brenda projektligjit të buxhetit, ndër to edhe miratimi i një shtese fondi për gjyqësorin. Pas këtij miratimi, i hapet rruga përfundimtare për votimin nen për nen të buxhetit 2012 në seancën plenare të datës 5 dhjetor.
Një javë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim me shumicë votash, projektbuxhetin për vitin 2012, pas një seance maratonë e cila zgjati më shumë se 12 orë. Kuvendi i dha “Ok” në parim dokumentit më të rëndësishëm ekonomiko – financiar të vitit, por për miratimin e tij përfundimtar, do duhet diskutimi dhe shqyrtimi nen për nen.
Deputetët e mazhorancës e mbrojtën këtë projekt si buxheti që do të mbështesë stabilitetin makroekonomik, por edhe si projektin që do të zbusë efektet e krizës financiare globale, përmes mbështetjes së sektorëve sociale, investimeve publike dhe rritjes së pagave dhe pensioneve. Buxheti i vitit të ardhshëm, më i madhi në histori me 8 miliardë dollarë, ka të përcaktuar mirë tre objektivat e vendosur nga qeveria si; kontrollin rigoroz të borxhit publik; deficitin buxhetor, i cili parashikohet të jetë ndër më të ulëtit në hapësirën evropiane; si dhe inflacionin e kontrolluar. Rritja ekonomike parashikohet të jetë në shifrat 4 për qind, mbi mesataren Evropiane. Qeveria ka parashikuar një mbështetje maksimale ndaj politikave të shpallura prej saj, duke u fokusuar kryesisht në investimet në infrastrukturë, rritje pagash dhe pensionesh apo dhe mbështetja ekonomike për familjet në nevojë. Në vitin 2005 Shqipëria kishte një deficit buxhetor prej 72 për qind, ndërsa në 2011, ky borxh ka rënën nën 60 për qind. Në sajë të reformës ekonomike dhe funksionimit të tyre, qeveria parashikon të mbajë nën kontroll borxhin, sipas standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian. Objektivat e buxhetit të vitit të ardhshëm vazhdojnë të mbeten investimet në infrastrukturën rrugore, Arsim, Bujqësi dhe Shëndetësi, rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe rritjen ekonomike. Infrastruktura rrugore, është një spektër i rëndësishëm për vitin 2012.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›