Pas turpit me Kryesinë dhe Sekretariatin/Rama shfaqet me editorial, mburr procesin si demokratik!

Çmenduria s’ka fund. Edi Rama pretendon se PS është forca politike më demokratike në vend! Thagma vjen vetëm një ditë pas paçavures që u gatua në asamblenë e PS, ku Sekretariati dhe Kryesia, dy forumet më të rëndësishme, u ndërtuan me dorën e Ramës, nga zyra e tij në selinë rozë. Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve për konstituimin e Asamblesë Kombëtare të socialistëve, Kryesisë dhe Sekretariatit, Edi Rama vlerëson se Partia Socialiste arriti të zhvillojë zgjedhje transparente, fakt ky që e dallon nga partitë e tjera, sipas tij. Në një editorial të shpërndarë fillimisht për oborrin mediatik të opozitës, Rama thekson se pas zgjedhjeve të Asamblesë, sfida e re e socialistëve është vënia në jetë programin e ri për një Rilindje Shqiptare. Nga këtu kuptohet se fodullëku dhe inkoshienca është ekstremisht në nivele të pakontrollueshme, aq sa vlen të marrë përmasat e pabesisë dhe kurthit të radhës.
“Programi bazë i miratuar nga kongresi i 5 nëntorit duhet të bëhet pronë e qytetarëve dhe qytetarët duhet të përfshihen në shtjellimin e tij. Partia Socialiste do t’u krijojë këtë mundësi të gjithëve, në qytet e në fshat, në Veri e në Jug, përmes kontakteve direkte dhe indirekte. Të gjitha strukturat e saj do të mobilizohen për ta mundësuar këtë komunikim publik me të gjithë shqiptarët e interesuar për një ndryshim radikal në ekonomi, shtet, shoqëri e në raportet me Europën”- tha Rama. Duket se kreu i PS-së ka zgjedhur rrugën e mos prishjes “qejf” me asnjë nga anëtarët e Asamblesë së re, pasi bën thirrje që hapësirën brenda njërit – tjetrit ta mbushin me pasionin për politikën e përbashkët. Dhe jo më kot, të gjithëve u lëshoi nga një kockë, sa për t’u jargavitur me idenë e manisë së të qenurit në pushtet sado larg të jetë dita. Duke identifikuar problemet e brendshme krizën që ka paralizuar vendimmarrjen në PS, Rama apelon për lënien mënjanë të rivalitetit brenda partisë, duke i ftuar zërat kundër në parti që të bashkojnë forcat jo vetëm për të mundur mazhorancën, por edhe për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe. “Rivalitetet brenda PS mund e duhet të bëhen forca dhe jo të mbeten dobësia e saj, duke i dhënë një tjetër përmbajtje e formë zhvillimit të tyre në funksion të qëllimit të përbashkët. Jo thjesht sepse për të mundur Saliun duhen të gjithë, po sepse për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe duhet një shembull i ndryshëm i të bashkëjetuarit në një bashkësi ku të gjithë kanë vendin e vet e respektojnë vendin e tjetrit. Dhe nuk shoh, në fakt nuk ka kund tjetër një forcë e hapësirë që mund ta japë këtë shembull emancipues për shoqërinë shqiptare përveçse në Partinë Socialiste”- vijon më tej, editoriali i kryesocialistit Rama, i cili vjen një ditë pas katrahuërs në emër të Asamblesë në Kryesi dhe Sekretariat, nën moton “kush sulmon kryetarin s’ka vend në parti”.