Miratohet pa opozitën projektligji për akcizat

Nga nje mbledhje e Komisionit të Ekonomisë
TIRANE- Komisioni i Ekonomisë ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës projektligjin për akcizat. Në mbledhjen sotme opozita votoi kundër, ndërsa projektligji mori votën e mazhorancës në formën e tij fillestare, pa ndryshimet e propozuara. Projektligji për akcizat ka patur disa pika të debatueshme, ndërsa kompanitë më të mëdha të prodhimit të birrës pak ditë më parë i janë drejtuar me një letër të hapur Komisionit të Ekonomisë ku kërkonin shtyrjen e diskutimit dhe miratimit të ligjit të ri për akcizat. Por, Komisioni i Ekonomisë në votimin e sotëm nuk mori parasysh kërkesat e tyre.
Pikat e debatueshme
Neni 21/ Garantuesi
1. Kur në përputhje me dispozitat e këtij ligji kërkohet dhënia e një garancie, me qëllim që të sigurohet pagesa e një borxhi, kjo garanci depozitohet nga depozituesi i miratuar, dërguesi i regjistruar, pritësi i regjistruar, ose nga përfaqësuesi fiskal.
Neni 23/ Masa e garancisë
1. Depozituesi i miratuar është i detyruar të depozitojë një garanci në masën 100% të detyrimit të akcizës të produkteve të depozituara.
2. Nëse garancia jepet nga subjekte të tjera, shuma e garancisë së dhënë nga depozituesi i miratuar zvogëlohet në të njëjtën shumë.
3. Depozituesit e miratuar, dërguesit e regjistruar, pritësit e regjistruar, janë të detyruar të garantojnë në masën 100% detyrimin e akcizës edhe për të gjitha operacionet e tjera me pezullim të detyrimeve të akcizës.
4. Autoriteti doganor ka të drejtë të përjashtojë nga detyrimet e përcaktuara në pikën 1 dhe 2 të këtij neni, institucionet buxhetore.
Neni 26/ Dorëzania
1. Dorëzanësi merr përsipër me shkrim të paguajë personalisht dhe/ose bashkërisht me depozituesin e miratuar, pritësin e regjistruar, dërguesin e regjistruar shumën e borxhit të garantuar që duhet paguar.
2. Dorëzanësi duhet të jetë një person i tretë i vendosur në Republikën e Shqipërisë dhe i pranuar nga autoritetet doganore.
3. Autoritetet doganore mund të refuzojnë miratimin e dorëzanësit ose të llojit të garancisë së propozuar, kur kjo e fundit vlerësohet në bazë të kritereve të përcaktuara me akt nënligjor se nuk siguron pagesën e borxhit brenda afatit të përcaktuar.