Myslimanët shprehen kundër varrezave murale

Varrezat e Tufinës
Komuniteti Mysliman Shqiptarë kundërshton propozimin e Bashkisë së Tiranës për varrezat murale. Në një tryezë organizuar sot nga Bashkia, ku merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça tha se varrezat murale janë të papranueshme për myslimanët.
Bashkia të sigurojë hapësira të reja në periferi ose në fshatra,- tha ai.
Përfaqësuesit e komuniteteve të tjera dhanë propozimet e tyre. Katolikët propozuan dy zgjedhje, varreza private në bazë të përkatësisë fetare ose varrosjen sipas dëshires së familjarëve.
Ortodoksët ranë dakort për varrezat murale, por sipas tyre, kur të vijë koha zhvarrosjet të kryhen në prezencë të priftërinjve.
Nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panarit u shpreh se Bashkia e Tiranës është duke marrë në shqyrtim të gjitha propozimet, për të arritur në një përfundim në mirëkuptimin e të gjitha palëve.