E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uran Butka flet për Mukjen në Prishtinë

“Mukja, shans i bashkimit - peng i tradhtisë”, është libri i ri i autorit Uran Butka, të cilin pjesëmarrësit në promovimin e djeshëm në Prishtinë e quajtën si një pamflet politik të nivelit të ngritur historik, shkencor për lartësimin e ndërgjegjes shqiptare, atëherë kur e kërkon kombi. Shefi i Degës së historisë në Institutin Albanologjik në Prishtinë, Lush Culaj, tha se Konferenca e Mukjes lindi si nevojë për vetëmbrojtje dhe liri, për bashkimin kombëtar dhe demokraci. “Vendimet që u morën ishin, luftë e përbashkët dhe e menjëhershme kundër pushtuesit përkrah aleatëve të mëdhenj, luftë për mbrojtjen e kartës së Atlantikut për vetëvendosje të popujve, luftë për një Shqipëri etnike, ku forma e regjimit do të përcaktohej nga vetë populli pas luftës...”, - ka thënë Culaj. Ndërsa, autori Uran Butka theksoi se Konferenca e Mukjes është një nga ngjarjet më madhore të historisë së kombit tonë. “Pas Lidhjes së Prizrenit dhe shpalljes së pavarësisë në Vlorë, mendoj se kjo është një nga ngjarjet më kryesore të historisë sonë. Sepse në radhë të parë aty u morën vendime historike. Vendimi i parë ishte ky: Luftë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve në krah të aleatëve të mëdhenj, Angli, SHBA..., luftë për një Shqipëri të pavarur dhe etnike mbi bazën e parimit të vetëvendosjes së kombeve”, ka thënë autori i librit, Uran Butka.

Sipas shumë pjesëmarrësve në promovimin e librit të Uran Butkës, “Mukja, shans i bashkimit - peng i tradhtisë”, kryefjala e këtij libri është “Shqipëria etnike”.

Francezët zbulojnë Korçën

Krahina autonome e Korçës, e shpallur në vitin 1916 me mbështetjen e qeverisë franceze të asaj kohe dhe ushtrisë së këtij vendi që ndodhej në qytetin e Korçës, vjen për herë të parë e dokumentuar në një ekspozitë në mjediset e Prefekturës së Korçës. Një bashkëpunim mes Ambasadës franceze në Tiranë, Arkivit të Shtetit shqiptar dhe Prefekturës së Korçës, bëri të mundur organizimin e kësaj ekspozite, në përurimin e së cilës mori pjesë dhe Ambasadorja franceze në Tiranë, Marise Daviet. Në stendat e ekspozitës janë paraqitur për herë të parë materiale historike, dokumente dhe fotografi që dëshmojnë për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës në dhjetor 1916, por edhe për bashkëpunimin shqiptaro-francez të asaj kohe.

"Në këtë ekspozitë paraqiten për herë të parë dokumente që tregojnë aspekte të jetës ekonomike, sociale dhe ushtarake të kohës", - tha përfaqësuesja e Arkivit të Shtetit në ceremoninë e përurimit. Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, theksoi se nëpërmjet këtij aktiviteti vlerësohen marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë. "Liceu i dikurshëm francez i Korçës bën që edhe në ditët e sotme të ruhet tradita frankofolëse e qytetit, ku sot ekziston një klasë e gjuhës frënge në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”. Këtë e ndihmon edhe Aleanca franceze me qendër në Korçë, si dhe shoqata Trashëgimi pa kufij, e cila ka ndihmuar për të nxjerrë në dukje vlerat e trashëgimisë në zonën e Korçës", - tha prefektja Zefi.

Ambasadorja franceze në Tiranë, Marise Daviet, falënderoi për mbajtjen gjallë të frankofonisë në qytetin e Korçës nëpërmjet aleancës franceze dhe vlerësoi Korçën jo vetëm si "qytet i traditës dhe historisë", por gjithashtu si "qytet i së ardhmes". Në veprimtari morën pjesë studiues, historianë dhe banorë të qytetit të Korçës. Gjithashtu u kryen vizita në varrezat e 640 ushtarëve francezë të rënë gjatë Luftës I Botërore, varreza të cilat janë ngritur në periferi të Korçës.

“Rezoluta 819”, krimet e Sarajevës në Romë

Më 2 dhjetor në Sarajevë do të shfaqet premiera e filmit “Rezoluta 819”, e regjisorit italian Gjakomo Batiatoa, ka njoftuar Ministria e Kulturës dhe Sportit e Kantonit të Sarajevës. Pasi ky film ka fituar shpërblimin kryesor të publikut në Romë, regjisori ka pranuar ftesën që të jetë mysafir në Sarajevë, ku do të udhëtojë më 1 dhjetor, së bashku me ekipin e filmit. Filmi “Rezoluta 819”, produksion francez-italian-polak, tregon për një histori të vërtetë për një polic, të cilin gjykata ndërkombëtare për krime lufte në ish-territorin e Jugosllavisë e dërgon për të kryer hetime për zhdukjen e 8.000 meshkujve dhe fëmijëve myslimanë nga Srebrenica, pasi në korrik të vitit 1995 këtë qytet e kishin marrë forcat serbe të Bosnjës. Në shfaqjen e premierës, veç nënave nga enklavat Zhupë dhe Srebrenicë, do të ftohen edhe ambasadorët e vendeve të huaja në Bosnjë dhe mysafirë të tjerë nga rajoni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›