Miratohet parku energjetik në tokën e Fazlliç
KRTRRSH
Në mbledhjen e djeshme, kreu i qeverisë i ka hapur dritën jeshile ndërtimit të parkut në tokat e mikut të familjes
Parku në Porto Romano do të përmbajë një termocentral për prodhim energjie dhe depozita nafte
TIRANË- Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi dje lejen për ngritjen e një zone industriale dhe energjetike në Porto Romano, në një sipërfaqe prej 810 hektarësh.
Në projekt bëjnë pjesë, pontili i shkarkimit gazit dhe të karburanteve, i cili tashme ka filluar nga shfytëzimi, depozitat e karburanteve të disa kompanive që bëjnë importin e tyre për Shqipërinë, ngritja e një TEC-i me qymyr, etj.
Në kuadrin e zbatimit të një vendimi të Këshillit të Ministrave miratuar dy vite më parë, me ngritjen edhe të kësaj zone industriale, të gjitha depozitat e kompanive importuese të naftës në vend janë duke u zhvendosur nga zona e portit të Durrësit, në të cilin përbënin një rrezik të përhershëm për jetën e banorëve për në Porto Romano.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm, i cili do ta shndërrojë Porto Romanon në një nga zonat industriale më të fuqishme të vendit. "Zhvillimi i këtij projekti do të bëjë që Porto Romano, të jetë zona më e fuqishme industriale e vendit, do të gërshetojë një nga nyjet energjetike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Ballkanit",-u shpreh ai.
Por Porto Romano është përfshirë nga një vorbull korrupsioni kryeministror që nis tek miku i familjes Berisha, Damir Fazlliç, dhe përfundon tek vajza e kryeministrit, Argita Berisha. Pak përpara hedhjes së idesë për ngritjen e një parku industrial në Porto Romano, zona ishte pothuajse e braktisur.
Aty banonin një pjesë e banorëve që ishin kompensuar për përmbytjen e shtëpive të tyre nga hidrocentrali i Fierzës. Në këtë vend ka zbarkuar Damir Fazlliç, i cili ka nisur të blejë tokat e fshatarëve kundrejt çmimeve shumë të ulëta.
Më pas puna e tij është vazhduar nga avokatja që "rastësisht" është vajza e kryeministrit, Argita Malltezi (Berisha). Kur kjo e fundit ka dhënë "OK" se blerja ka përfunduar, Sali Berisha ka hedhur idenë e parkut energjetik në Porto Romano.
Menjëherë vlera tokës është rritur. Tashmë një pjesë e parkut energjetik i bie të ndërtohet pikërisht mbi tokat e Fazlliç.
Gjatë shqyrtimit të projektit të Porto Romanos, Berisha nuk harroi të sulmojë edhe ata që kanë kundërshtuar ngritjen e infrastrukturës për prodhimin energjisë në këtë zonë, e cila sipas tyre duke punuar me qymyr, do të bëhet shkak për ndotje të mëdha të ajrit dhë shkatërrim të ekosistemit.
Sipas Berishës, këta të fundit nuk përfaqësojnë gje tjetër veç se interesat e mafias. "Ata që janë kundër këtyre projekteve, globalistët përfaqësojnë interesat e mafias", -u shpreh dje Kryeministri, duke shtuar se edhe qeveria që ai drejton është e interesuar për të mbrojtur ambientin.
"Mjedisi i pastër është qëllimi i veprimtarisë sonë, ndaj ne ruajmë ndjeshmërinë maksimale ndaj interesave të qytetarëve dhe të vendit. Ne nuk kemi asnjë paragjykim është me qymyr, është me gaz apo është me naftë, e rëndësishme është që të mos prodhojë ndotje që nuk e përmban standardi",-tha ai.
Duke vazhduar në këtë linjë, Berisha theksoi se do të bëhet edhe një studim i dytë në lidhje me përcaktimin e kapaciteteve të TEC-eve me gaz, biomasë, naftë apo qymyr.
"Një studim paraprak ekziston dhe ne duhet të kontraktojmë një kompani ndër më seriozet, e cila të na përcaktojë qartësisht se cilat do të jenë kapacitetet energjetike që ne do të mund të ndërtojmë në atë zonë, pa cenuar aspak standardet qoftë për qytetin, qoftë për zonën tjetër mbi gjirin e Lalzit, për të cilën ka projekte jashtëzakonisht të rëndësishme prej miliarda euro investime"- u shpreh Berisha.