E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Mitterrand i Kulturës

Në dy vende, prej të cilave Shqipëria është ushqyer me jo pak modele të kulturës dhe administrimit të saj, në Itali dhe Francë, këto kohë po flitet seriozisht pikërisht për probleme që lidhen me kulturën. Në dy nivele: në nivel të politikave të shtetit dhe në nivel të konsumit të kulturës.


Në Itali, Asambleja e Përgjithshme e Federculture-va jep të dhënat për vitin 2008 dhe pohon se kultura është në krizë si asnjëherë. Ka rënie të ndjeshme të numrit të vizitorëve në muze, të publikut në ekspozita dhe aktivitete, bilancet ministrore flasin për shifra në minimum, po mbyllen pjesërisht bibliotekat e mëdha të Romës dhe Firences.


Ndërkohë, Franca ka zgjedhur ministrin e ri të Kulturës dhe Komunikimit dhe kjo zgjedhje është komentuar me frymë pozitive, gjë jo aq e zakontë. Është Frédéric Mitterrand-i. Mediat vendase i kanë kushtuar vëmendje këtij personazhi për atë që ka bërë si profesionist në fushën e kulturës dhe si njeri publik deri tani.


Djali i Robert Mitterrand-it, vëllait të preferuar të ish-Presidentit socialist François Mitterrand-it. I propozuari në ministrinë që dikur kanë drejtuar André Malraux-ja dhe Jack Lang-u, nga vetë Presidenti i Republikës, Nikolas Sarkozy, është një njeri i pasionuar pas operës, jazzit dhe kinemasë, lexues i Prustit dhe Stendalit, erudit për kulturën klasike, por kurioz për artin bashkëkohor.


Në vitet '80-të, ai kalon në prodhimin, realizimin dhe prezantimin e emisioneve për kinemanë, emisione në Europe 1 dhe France Culture, si për shembull "Étoiles et Toiles".
Mediat e theksojnë faktin që emërimi i 62-vjeçarit në krye të kësaj ministrie është përshëndetur nga profesionistët. Pritet konfirmimi nga publiku i gjerë.
Po çfarë cilësohet pozitive tek ministri i ri?


E dhënë shumë e mirë cilësohet përkatësia e tij si njeri i kulturës dhe i medias, e dhënë që mund të shërbejë në riforcimin e lidhjeve me artistët. "E rëndësishme është që ai të kuptojë kodet tona", - thotë një përfaqësues i këtij komuniteti.


Mediat e kanë përshëndetur si "njërin prej tyre" në qeveri, ndërsa botuesi i tij Press Pocket, përgatitet të rishtypë një dorë tjetër të librit të tij, "Jeta e keqe", 2005 (200 mijë kopje të shitura), ku është rrëfyer hapur edhe për homoseksualitetin e tij.
Sipas një sondazhi të "Le Figaro Magazine", ministri i ri i Kulturës klasifikohet ndërmjet ministrave më popullorë, me 42 % të opinioneve pozitive.


Ndërsa Presidenti Sarkozy e ka cilësuar Mitterrand-in, thjesht "të kulluar".
Një tjetër gjë pozitive është pavarësia që ai ka treguar deri tani. Nuk është njeri që ka njohje në qarqe politike, edhe pse "njeh gjithë botën" në mjediset kulturore. E cilësojnë kreativ dhe të përligjur për çështjet e kulturës.


Politikisht e kanë komentuar jo simbol i "hapjes" për të majtën, se sa një "vend i lirë për shpirtin". Një shpirt i lirë "jashtëzakonisht korrekt, metodik dhe i organizuar", i njohur për "konceptin shumë dinamik dhe popullor për kulturën".


Sapo ka marrë postin e ministrit, Miterrand-i ka treguar gjithë vullnetin e tij të mirë, por, para së gjithash, ka thënë se do të vendosë premtimin e tij "për të respektuar rregullat që i kanë vendosur", për të luajtur lojën kolektive.


Kabineti i tij është ngritur duke mbajtur në detyrë një pjesë të ekipit të ministres paraardhëse, Christine Albanel-it. Miterrand-i është i predispozuar të punojë në institucionin e tij të ri me "dikë që nuk i ngjan".


Si përfundim, shumë nëpunës ose specialistë të kabinetit të paraardhëses së tij, urojnë që të punojnë me të.
Duke i shprehur kaq shumë besim ministrit të Kulturës, nga ana tjetër i kujtojnë detyrat delikate që ka përpara, vendime që janë marrë para se të vinte në kë post por që ai duhet t'i marrë përsipër.


"Nuk kam ardhur me një listë pazari. Dëgjoj dhe mësoj, unë jetoj me problemet dhe për momentin po bëj inventarin", - tha në ditët e para të punës. Disa nga këto të listës janë: mësimdhënia artistike, linja e ardhshme e Muzeut Historik të Francës, krijimi në artin bashkëkohor, administrimi i subvencioneve, reforma në AFP, shkurtimi i numrit të nëpunësve dhe çështja që duhet zgjidhur sa më shpejt lidhur me ligjin për të drejtën e autorit dhe Internetin.


Edhe njëherë mediat theksojnë: Çfarë pavarësie do të ketë ky njeri që ia njeh plagët kulturës në zbatimin e këtyre detyrave.


Shumë shpejt, edhe tek ne do të zgjidhet një ministër i Kulturës, që s'është vetëm i Kulturës. Fatkeqësisht, administrimi i kësaj ministrie është futur në listën e pazareve të qeverisë së ardhshme në koalicion. Themi fatkeqësisht, edhe sepse forca që diskuton marrjen e saj me kushte, nuk ka ngjëruar kurrë në punët e kulturës, po aq sa bashkëshortët udhëheqës të saj.


Në këto njëzet vjet, ministri shqiptar i Kulturës është parë si punë dylli për të mbushur vrimat e punëve personale dhe të interesave politike. Kanë qenë ministra që lidhjet me kulturën i kanë pasur folklorike dhe gjithë ndërhyrjet e tyre me pretendimet foshnjerake për reformë në këtë ministri, i kanë bërë mbi bazë të këtij formimi personal sharlatan dhe, nga ana tjetër, duke mbajtur një qëndrim puthadorësh ndaj shefave të qeverive, të cilat qeveri nuk ia kanë vërshëllyer ndonjëherë kulturës as me një gisht vend në programet e tyre politike, që do të kuptonte pastaj mbështetje, para, reforma jo aksidentale, siç ndodhi me më artistin e ministrave të kulturës.


Askush nuk mund të thotë se, përderisa kësaj ministrie i kanë vënë rregullisht kukulla të dyshimta për lojërat me spiunë nën diktaturë, kukulla ekonomistësh e gazetarësh të rastësishëm, kukulla agronome apo kukulla grabitqare e mitomane, ajo ministri nuk do të jetë më një trup për sondazhe.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›