E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet plani rregullues për qytetin e Shkodrës

Këshilli Bashkiak i këtij qyteti miratoi me votat e të gjithë anëtarëve projektin, duke i çelur rrugën zbatimit të tij. Kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka deklaron se me miratimin e planit rregullues i jepet fund ndërtimeve pa kriter dhe studimeve pjesore urbanistike në gjithë qytetin e Shkodrës.

Përparësi e planit janë potencialet e zhvillimit të qytetit në zonat urbane dhe shtrirja përballë Liqenit te Shkodrës, ruajtja dhe përmirësimi i qendrës historike, zhvillimi i zonave të spikatura kulturore e historike, përqendrimi në zgjerimin dhe modifikimin e korpusit universitar, mjediseve bashkëkohore, ku spikasin dy komplekse të reja, njëri në zonën e re në afërsi të liqenit të Shkodrës dhe tjetri në Zonën Industriale.

Përparësi marrin dhe zonat turistike të Shirokës dhe Zogajve në breg të liqenit të Shkodrës. Me mjaft interes pritet rikthimi i portit të dikurshëm, i projektuar aty ku ka qenë, në afërsi të urës së vjetër të Bunës. Zona e kodrave të Tepes, në periferi të qytetit, e njohur dikur si zonë rezidenciale, parashikohet të marrë zhvillim.

Sipas kryebashkiakut Luka, plani shoqërohet me një sërë normativash që lidhen me ndërtimet dhe gjelbërimin, deri në përcaktimin e gamës se ngjyrave të fasadave, të ndara këto sipas viteve te ndërtimit.

Luka pohon se plani ka si orientim ruajtjen e mjedisit dhe e konsideron fotografimin e bërë në kënde të ndryshme si një mundësi optimale për zbatimin e tij.

"Me këtë plan rregullues, Shkodra do të shkojë drejt një qendre urbane bashkëkohore evropiane, ku do të jenë të përcaktuara qartë të gjitha zhvillimet ekonomike, sociale dhe kulturore të domosdoshme për kryeqendren e veriut. Synimi kryesor është rivitalizimi dhe zhvillimi i zonave potenciale, me qëllim nxitjen e investitorëve të ndryshëm në fushën e turizmit", tha ai.

Plani urbanistik u realizua nga studio "Hydea & Ateliaer 4", financuar nga Banka Botërore, si pjesë e projektit për përgatitjen e Planeve dhe Rregulloreve të Zhvillimit Strategjik Urban për bashkitë e përfshira në të.

Plani rregullues i qytetit të Shkodrës pritet të kalojë për miratim edhe në KRTRRSH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›