E Shtunë, 31 Tetor 2026

John McCain: Kim Jong Il e ka vendin në ferr

Senatori amerikan, John McCain, ka thënë se bota është më e mirë tani që lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Il vdiq.

McCain, një ligjvënës republikan, i cili kandidoi për zgjedhjet presidenciale në vitin 2008 për Partinë Republikane, tha se Kim e çoi popullin e tij në një varfëri të tmerrshme.

McCain tha se ai ka kryesuar një nga regjimet më brutalë e më shtypës që ka njohur bota.

Të tjerë republikanë në SHBA janë shprehur me nota të forta kundër diktatorit, por McCain ka ‘grushtuar’ më ashpër.

“Mund të shpreh vetëm gëzim që Lideri i Dashur po bashkohet me ata të llojit të tij si Gaddafi, Bin Laden, Hitleri dhe Stalini, në një qoshe të ngrohtë të ferrit,” tha McCain, i cili është torturuar kur ishte i burgosur në Vietnam.

Ndërkohë administrata e presidentit Obama ka qenë e kujdesshme në deklaratat e saj në lidhje me vdekjen e Kim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›