E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Të mbahen mend mesazhet e kancelares Merkel

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel një ditë më parë, sipas partive opozitare në Kosovë ka bartur disa mesazhe, por më kryesori, sipas tyre, është luftimi i krimit dhe korrupsionit, gjë që sipas opozitarëve, dëshmon se në Kosovë është bërë pak për luftimin e këtyre dukurive. Përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar po ashtu se kjo vizitë veç tjerash, ka qenë edhe një shpërfillje e Qeverisë së Kosovës, me vetë faktin që kancelarja Merkel nuk ka pranuar të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi në institucionet zyrtare të Qeverisë, por në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas opozitarëve, një tjetër mesazh i rëndësishëm, ishte ai që Kosova të jap më shumë nga vetja, për të cilin, ata kërkojnë që Qeveria të sqarojë se çka duhet të jap më shumë Kosova.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka vlerësuar qëndrimin e kancelares Merkel dhe të qeverisë gjermane karshi Kosovës, por edhe karshi Serbisë, duke bërë që kjo e fundit mos ta marr statusin e kandidatit për BE, megjithatë ka rikujtuar një tjetër mesazh të kancelares Merkel.

“Këto janë nuance që duhet të analizohen, e mbi të gjitha ishte edhe një mesazh i qartë gjithmonë, qoftë edhe për kurtoazi, thonë që këtu janë bërë disa punë të mira, por ajo që ta thonë kryesorja është, luftojeni krimin, luftojeni korrupsionin. Kjo të tregon, që ajo më shqetësuesja që edhe ne e themi si LDK se jo që po bëhet pak, por nuk po bëhet asgjë në këtë drejtim dhe këtë vend e ka kapluar korrupsioni, politizimi i bordeve nëpër ndërmarrje në çdo sferë të jetës”, ka thënë Beqiri.

Edhe Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka rikujtuar mesazhin e Merkelit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por ai ka rikujtuar si mesazh që duhet mbajtur mend, vent faktin që takimin me kryeministrin Thaçi, Merkel e ka zhvilluar në aeroport, e jo në Qeveri.

Një mesazh i rëndësishëm, sipas Gjinit, është ai që Kosova duhet të jap më shumë nga vetja, e për të cilin shefi i GP të AAK-së nuk dëshiron të spekulojë, por mendon se fjala është për veriun e Kosovës.

“Mesazhi i fundit, të cilin me siguri se e ka zënë veshi i shumicës së njerëzve të cilët merret me këtë çështje është se Kosova duhet të jap edhe diçka. Çka duhet të jap Kosova? Sinqerisht ne nuk mund ta dimë, nuk kemi informacione. Me siguri se Qeveria e Kosovës dhe zoti Thaçi e dinë… Mendoj se gaboj nëse spekuloj, por po, mendja ime thotë ashtu. Por cila është ajo çështje, çka është ajo çështje ne nuk mund ta dimë, për shkak se nuk kemi informacione. Informacionet i ka Qeveria e Kosovës”, ka thënë Gjini.

Ndërsa Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se nëse do të kishte një qeveri më të mirë, nuk do të kishte nevojë që zërat ndërkombëtarë të bëjnë thirrje që Kosova të bëjë kompromise me veriun.

“Përderisa ne kemi politikanë të tillë që nuk bëjnë diçka në veri të Kosovës, nëse vazhdojmë të kemi një elitë politike, e cila nuk ka plan konkret për shtrimin e sovranitetit në veri, atëherë mendoj që zërat ndërkombëtarë që do të vijnë në Kosovë do të thërrasin vazhdimisht për të dhënë diçka nga ana e Kosovës. Nëse e kemi një qeveri ofenzive, e cila bllokon mallrat e Serbisë, e cila aplikon masa të reciprocitetit ndaj Serbisë, të plotë politik, ekonomik dhe tregtar, atëherë nuk do të kishte as zëra ndërkombëtarë që do të thoshin se ka nevojë për kompromise për veriun e Kosovës, për ndonjë status special apo për ndonjë Ahtisari Plus”, ka thënë Konjufca.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dje ishte për vizitë në Kosovë, gjatë së cilës është takuar edhe me kryeministrin Hashim Thaçi në Aeroportin e Prishtinës, ndërkaq ka bërë thirrje për më shumë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo po ashtu ka thënë se edhe nga Prishtina ka kërkuar njësoj si nga Beogradi gjatë vizitës kohë më parë, që të angazhohen më shumë për gjetjen e mundësive për tregti të lirë, për bashkëpunim ndërkufitar dhe për shpërbërjen e strukturave paralele, andaj në këtë drejtim ajo ka kërkuar që Kosova të jap më shumë nga vetja. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›