E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet projektligji për regjistrimin e popullsisë

Në votim u përfshi dhe një amendament i propozuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në pikën 16 të këtij ligji, është shtuar se refuzimi i rremë ose deklarimi i rremë i popullsisë të dënohet me gjobë.

Projektligji për regjistrimin e popullsisë dhe banesave u miratua vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës, pasi opozita mungonte në parlament.

Përfaqësuesi i komunitetit çam në Parlament, Shpëtim Idrizi, theksoi se projektligji është shumë delikat, dhe për këtë duhet një diskutim i gjerë me grupet e interesit, gjë që deri më tani nuk është bërë.

Kryetari i PDIU-së tha se persona të ndryshëm për interesa të caktuara kanë “ndryshuar” kombësi, dhe kjo nuk duhet barazuar me shprehjen subjektive të etnitetit. Idrizi, ndër të tjera tha se, pavarësisht se ky ligj i përket vendit tonë, ai do të ketë implikime ndërkombëtare.

“Shtetet fqinje kanë shprehur hapur interesin për këtë proces. PDIU ka tërhequr vëmendjen e nevojës për një proces të drejtë dhe transparent. Në formën që është paraqitur ky ligj ka probleme. Në gjykimin tonë, ligji duhet të sqaronte konceptin”, u shpreh Idrizi.

Në anën tjetër,iniciatori i këtij projektligji, ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, tha se ndryshimet në ligjin për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, janë një detyrim i qeverisë shqiptare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Duke e konsideruar projektligjin si "të shumëpërfolur në media dhe nga shoqëria civile" ministri tha se censusi i përgjithshëm i popullsisë është një proces që organizohet nga INSTAT në çdo 10 vjet dhe ai është një detyrim i autoriteteve shqiptare ndaj MSA-së.

Ministri Pollo theksoi gjithashtu se projektligji ka të bëjë me adoptimin e legjislacionit europian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, e cila parashikohet të ruhet me rregulla të përcaktuara. Një tjetër element i pr/ligjit sipas Pollos, lidhet me masat ndëshkimore ndaj atyre që deklarojnë të dhëna të rreme në procesin e censusit. /Start/

                                                                                             2011-07-07 13:45
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›