E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet rezoluta e KiE: Të shmanget bipolarizimin politik në Shqipëri

STRASBURG- Pas një debati urgjent bazuar në raportin e Björn von Sydoë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar mbrëmë me 63 vota pro dhe 4 kundër rezolutën mbi situatën politike në Ballkan.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të KiE-së, thuhet se Asambleja nëpërmjet kësaj rezolute listoi një seri hapash për të reduktuar tensionet në veri të Kosovës, për t’i dhënë fund ngërcit politik në Bosnje Hercegovinë dhe për të përmirësuar situatën në Shqipëri. Sa i përket vendit tonë, rezoluta mirëpret përfundimin zyrtar të zgjedhjeve lokale 2011 ndërsa vihet në dukje angazhimi i liderit të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit në parlament.

Po kështu inkurajohen të gjitha partitë që të forcojnë pa vonesë, funksionimin e tyre të brendshëm, të punojnë drejt normalizimit të situatës politike dhe të nisin dialogun politik brenda parlamentit mbi reformat kyce dhe të domosdoshme që duhen ndërmarrë, me një vëmendje të vecantë ndaj bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në tekst thuhet gjithashtu se mirëpritet marrëveshja e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të vazhduar punën me reformën elektorale dhe i bën thirrje atyre të sigurojnë që reforma të ketë parasysh problemet dhe të metat që u hasën si në zgjedhjet parlamentare edhe në ato lokale dhe të rrisë mundësitë për partitë e vogla që të hyjnë në parlament.

Kjo gjë do ti jepte fund bipolarizimit që ka shënjuar politikën shqiptare dhe ka frustruar shumë popullin shqiptar në dekadat e kaluara. Lidhur me procesin e reformës elektorale, në rezolutë thuhet se duhet të merret parasysh edhe opinioni i Komisionit të Venecias.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›