Miratohet rezoluta kundër zgjedhjeve serbe
PRISHTINE- Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë, me anë të së cilës kundërshton dhe kërkon moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.
Rezoluta u prezantua nga subjekti më i madh në Parlament, Partia Demokratike e Kosovës, me mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare.
Rezoluta e cilëson vendimin e Kuvendit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë si shkelje të sovranitetit dhe cenim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe kërkohet nga institucionet që të mos lejojnë mbajtjen e tyre.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë të papranueshme. Përndryshe, nëse vjen deri te hapja e çështjes së kufijve në Ballkan, atëherë shqiptarët, sipas Thaçit, më së miri do të jetonin të bashkuar në një shtet të vetëm.