E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helikopteri VIP, Imami:I vjetri pësoi defekt në ajër

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar, nga viti i ardhshëm do të kenë në dispozicion për transportin e tyre një helikopter të ri VIP, të prodhuar nga kompania Eurocopter. Komisioni parlamentar i Sigurisë ka miratuar dje kontratën e blerjes së një helikopteri të ri, përkundrejt shumës prej 5.3 milionë eurove, i cili do të vihet në shërbim të lëvizjeve të kreut të shtetit, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit. Blerja e një helikopteri të tillë, vetëm për transportin e personaliteteve të larta shtetërore, është justifikuar nga Ministria e Mbrojtjes, si blerësja direkte e këtij mjeti fluturues, me faktin se helikopteri aktual që përdoret për këtë qëllim ka më shumë se 30 vjet që është prodhuar dhe nuk jep më siguri në ajër.

Miratimi

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar pa ndonjë debat marrëveshjen e re që Ministria e Mbrojtjes ka lidhur me kompaninë Eurocopter, për blerjen e një helikopteri VIP. Duke prezantuar këtë marrëveshje, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka sqaruar pikësëpari se marrja e një helikopteri të ri, për transportin ajror të personaliteteve, është bërë domosdoshmëri për vetë faktin se helikopteri ekzistues, tip A109 C, nuk jep më siguri për fluturime për shkak të kohës së gjatë të prodhimit dhe përdorimit. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur dhe një fakt tronditës se, helikopteri aktual ka shfaqur para pak kohësh dhe një problematikë, kur gjendej në ajër dhe kur në bordin e të cilit gjendej një personalitet. “Po blejmë këtë helikopter për shkak se aktualisht forcat ajrore tona kanë në përdorim një helikopter tip A109 C për këtë qëllim, prodhim i viteve ’80. Kohët e fundit ka qenë e vështirë mbështetja me transport, për shkak të gjendjes teknike të helikopterit. Ndërkohë, shërbimet periodike të mirëmbajtjes, kryerjes së riparimeve dhe pamundësisë së mbështetjes me një helikopter tjetër. Pas 30 vjetësh punë, një helikopter nuk krijon sigurinë dhe garancitë e nevojshme për të udhëtuar, për të lëvizur personalitetet kryesore. Helikopteri A109 C po zëvendësohet, për shkak se i ka tejkaluar normat, madje ka pasur edhe një defekt në fluturim, - u shpreh ministri Imami. E nisur nga një gjendje e tillë, ai ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Gardën e Republikës, forcat ajrore, por edhe ato të Ministrisë së Brendshme, vlerësuan si të domosdoshme blerjen e një helikopteri të tillë. Ai ka sqaruar se strukturat përkatëse morën në shqyrtim disa tipe helikopterësh dhe i analizuan ata në kosto dhe funksionalitet. Nga kjo analizë, rezultoi se blerja e helikopterit tip EC145 VIP dhe kostoja gjatë ciklit jetësor të tij ishte shumë e vogël, në krahasim me alternativat e tjera. “Është për një helikopter transporti të personaliteteve shtetërore, ku do të përfshiheshin Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri”, - tha përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes.

Helikopteri

Helikopteri që do të blihet nëpërmjet kësaj kontrate është i gjashti, që shteti shqiptar do të marrë nga kompania Eurocopter. Kontrata e nënshkruar midis palëve është për 5.3 milionë euro, ku do të përfshihet trajnimi i pilotëve, teknikëve, mbështetja dhe dokumentacionin teknik. Helikopteri do të jetë prodhim i vitit 2011 -2012 me kapacitet transporti deri në 8 persona. Ai do të ketë dy motorë me mundësi fluturimi, ditën e natën, dhe ulje në terrene të ndryshme dhe parametra të certifikuar për këtë tip. Mbështetja financiare e kontratës do të bëhet me fondet e veta, të ardhurat nga Ministria e Mbrojtjes gjatë 2011-2012.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›