E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet vendvendosja e 5 veprave kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë

30-06-2012 / Gazeta 55

Komitetit Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Komiteti për 100 vjetorin e pavarësisë, i mbledhur dje nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, miratoi vendvendosjet e 5 veprave, 2 monumente dhe 3 shtatore, kushtuar ngjarjeve madhore dhe figurave të rëndësishme historike, si dedikim për 100 vjetorin e pavarësisë.
Kryeministri Berisha propozoi që filmi Besa, një dokumentar mbi virtytet morale, guximin dhe sakrificën e familjeve shqiptare për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe dokumentari i aktores me origjinë Eliza Dushku mbi promovimin e Shqipërisë turistike të përfshihen në kalendarin e aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe të mundësohet shfaqja e tyre edhe për publikun europian e më gjerë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha, duke vlerësuar edhe një herë si një akt guximi, por edhe nderimi për vendin, ngjitjen në majën Everest të grupit të alpinistëve shqiptarë, propozoi që edhe ky event të konsideroj në kuadër të aktiviteteve për 100 vjetorin dhe të mundësohej mbulimi nga qeveria, i shpenzimeve të bëra për realizimin e këtij misioni. 

Monumenti i Pavarësisë
Komitetit vendosi që Monumenti i Pavarësisë të vendoset te Parku Rinia, me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë  së Mbrojtjes. Ky vend plotëson të gjitha parametrat për vendosjen e këtij monumenti dhe merr në konsideratë kërkesën e artistëve për ta vendosur këtë monument në një mjedis të gjelbër, si pjesë shumë e rëndësishme e monumentit.

Shtatorja e Ahmet Zogut
Komiteti kërkoi që shtatorja e Ahmet Zogut të rishihet. Ndërkohë që u përcaktua si vendvendosje sheshpushimi në fund të Bulevardit Zogu I.

Shtatorja e Hasan Prishtinës
Komiteti miratoi si vendvendosje të shtatores në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “ Mine Peza” dhe Rrugës “Durrësit”.

Shtatorja e Ismail Qemalit
Komiteti kërkoi që shtatorja e Ismail Qemalit të rishihet dhe u miratua si vendvendosje sheshi në lulishten në kryqëzimin e Bulevardit  “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”

Monumentit të Kongresit të Lushnjës
Komiteti propozoi si vendvendosje për Monumentit të Kongresit të Lushnjës sheshin në lulishten qendrore të qytetit. Komiteti la si detyrë që Ministri i Turizmit dhe Kulturës t’i përcjellë kryetarit të bashkisë së Lushnjës dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak propozimin e Komitetit dhe të diskutojnë për këtë vendvendosje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›